Sekretari amerikan i shtetit Antony Blinken ka shprehur shpresën se grupi militant palestinez i Hamasit, do të marrë vendimin e duhur për të pranuar marrëveshjen që Izraeli ka bërë, marrëveshje të cilën vetë Blinken e cilësoi si “tepër bujare”.
Gjatë vizitës së tij në Riad, kryeqytetin saudit, Blinken tha se ndërmjetësimet për arritjen e armëpushimit në Gaza po vijonin në Kajro për propozimin e bërë nga Izraeli. Blinken tha se Hamasi duhet t’i përgjigjet sa më shpejt propozimit të bërë nga izraelitët.
Nëse arrihet marrëveshja, do të bëhej i mundur ndalimi i ofensivës së pamëshirshme që Izraeli po zhvillon në Rripin e Gazës ku sipas mediave të huaja, deri më tani janë vrarë mbi 34 mijë palestinezë. Marrëveshja përmban edhe lirimin e pengjeve izraelite që mbahen në Gaza që nga 7 tetori.
“Hamasi ka përpara një propozim që është jashtëzakonisht bujar nga ana e Izraelit”, tha Blinken në Riad në Forumin Ekonomik Botëror. “Ata duhet të vendosin sa më shpejt,” tha Blinken. “Unë shpresoj se ata do të marrin vendimin e duhur.”
Ndërkohë, diplomati i lartë amerikan përsëriti kundërshtimin e Uashingtonit ndaj ofensivës së planifikuar izraelite në Rafah. Ai tha se SHBA duhet të shohë ende një plan nga Izraeli në lidhje me masat për mbrojtjen e civilëve.
Top Channel