Diskutimet në Komisionin e TIMS/ Likaj: Nuk jemi këtu për të gjykuar njëri-tjetrin! Gogu: Na mblidhni vetëm për batuta

29/04/2024 14:11

Debatet në Komisionin Hetimor për trajtimin e të dhënave të sistemit TIMS vijojnë mes mazhorancës dhe opozitës.

Nënkryetari Toni Gogu ironizoi mënyrën si po zhvillohet mbledhja dhe u shpreh se ekspertët nuk janë të pajisur me certifikatë sigurie. Nga ana tjetër, demokrati Ramadan Likaj theksoi se nuk duhet të gjykojnë, por të respektojnë njëri tjetrin. Sa i përket certifikatës së sigurisë, Likaj tha se të gjithë po plotësojnë dosjen dhe më pas, “kush nuk pajiset me certifikatë, nuk do jetë pjesë e këtij komisioni”.

Toni Gogu: Nëse na mblidhni këtu për të bërë batuta, nuk jemi për lajmin e ditës. Mos na bëni xhuxhmamxhuxh. Ne hetojmë! Hetojmë me…Nuk mund të vazhdojë mbledhja në këtë mënyrë. Propozoj që sekretari të mblidhet për të vijuar se si do të procedohet me mbledhjen. Ekspertët nuk janë të pajisur me certifikatë sigurie.

Ramadan Likaj: Po bëjmë retorikë pa sens. Bie dakord me propozimin e Gështenjës. Të jepen propozimet dhe më pas të gjithë së bashku t’i marrim në shqyrtim.

Të kemi durimin të respektojmë njëri-tjetrin dhe opinionin qytetar. Secili nga ne do ketë kohën e duhur për të thënë fjalët e veta. Si koleg, po ua them me dashamirësi, e kuptoj që pushteti ka konsumimin e vetë, por nuk jemi këtu për të gjykuar njëri-tjetrin, por jemi këtu për të marrë përsipër atë që na takon. Duhet të gjithë të paraqesin propozimet e tyre dhe ky komision të vijojë punën.

Lidhur me certifikatën e sigurisë, të gjithë jemi duke plotësuar dosjen, nuk kemi frikë, jemi të hapur dhe në kohën e duhur, kjo gjë do të realizohet. Nuk besoj se jep pengesë certifikata. Cilido që s’do të pajiset me certifikatë, nuk do jetë pjesë e këtij komisioni. Nëse zgjatemi kot, të kalojmë këtë pikë, të gjejmë konsensusin e plotë dhe komisioni të vijojë punën e vetë.

Ervin Salianji: Do e mbyllnim deri tani nëse do të kishim përgjigje nga institucionet. Lexohen përgjigjet dhe nëse keni pyetje për ekspertët më pas. Çfarë ka këtu?!

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA