Rusia kërcënon Perëndimin: Do të përgjigjemi “ashpër” nëse konfiskohen asetet

28/04/2024 15:38

Zyrtarët rusë kanë kërcënuar këtë të dielë Perëndimin se Moska do të përgjigjet “ashpër”, në rast se asetet e ngrira ruse konfiskohen, duke u zotuar për masa hakmarrëse dhe veprime ligjore “pafund”.

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Rusisë, Maria Zakharova, tha se Rusia nuk do t’i dorëzojë kurrë territoret që ia ka uzurpuar Ukrainës, në këmbim të kthimit të aseteve të ngrira ruse.

“Mëmëdheu ynë nuk është në shitje. Asetet ruse duhet të mbesin të paprekura, sepse, përndryshe do të ketë përgjigje të ashpër ndaj hajdutërisë së Perëndimit. Në Perëndim ka shumë që e kanë kuptuar këtë, por jo të gjithë fatkeqësisht”, tha Zakharova.

Si përgjigje ndaj luftës së Rusisë në Ukrainë, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e tyre i ndaluan transaksionet me Bankën Qendrore të Rusisë dhe me Ministrinë ruse të Financave, si dhe i bllokuan gati 300 miliardë dollarë asete ruse në Perëndim.

Shumica e aseteve të ngrira ruse janë në institucionet financiare evropiane, e jo në ato amerikane.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha të dielën se sasi të mëdha parash të Perëndimit ndodhen ende në Rusi, të cilat mund të jenë cak i kundërmasave nga Moska.

“Mundësia e veprimeve ligjore [kundër konfiskimit të aseteve ruse] do të jetë shumë e hapur. Rusia do t’i shfrytëzojë ato dhe do ta mbrojë veten pafundësisht”, tha ai./ REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA