Gjyqtarit i vihet tritol në shtëpi, reagon KLGJ: Dënojmë aktin kriminal, prokuroria të zbardhë ngjarjen dhe të nxjerrë para përgjegjësisë personat e përfshirë

28/04/2024 12:21

Këshilli i Lartë Gjyqësor ka reaguar pasi persona të paidentifikuar vendosën lëndë plasëse në oborrin e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj.

Ndërsa e cilëson akt kriminal, KLGJ i bën thirrje prokurorisë të zbardhë ngjarjen dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor shpreh mbështetjen për të gjithë gjyqtarët e sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve.

Ndër të tjera thekson se respektimi i funksionit dhe dinjitetit të gjyqtarëve është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës.

“Duke marrë shkas nga informacionet e përcjella nga media e shkruar dhe vizive si edhe bazuar në informacionin paraprak të Policisë, ditën e sotme lidhur me ngjarjen e ndodhur në banesën e magjistratit z. Tonin Sterkaj, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Këshilli i Lartë Gjyqësor përcjell shqetësimin për këto akte që cenojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare.

Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.

Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve, pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës”, shkruhet në reagimin e KLGJ-së.

Kujtojmë se rreth orës 03.00 të mëngjesit gjyqtarit Tonin Sterkaj iu vendos lëndë plasëse në oborrin e banesës së tij në qytetin e Shkodrës.

Sipas gazetarit të Top Channel, Klodian Zhivani gjyqtari ka deklaruar në polici se nuk kam dijeni kush e ka bërë.

“Nuk kam dijeni se kush e ka bërë, unë jam gjyqtar dhe kam çështje penale çdo ditë në gjykim”, mësohet të ketë thënë ai.

Nga raportimet e para bëhet me dije se nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Grupi hetimor në vendngjarje po heton mbi këtë rast dhe personin apo personat që kanë vendosur sasinë e lëndës plasëse dhe shkaqet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA