Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja kërkon zbardhjen e ngjarjes nga prokuroria të tritolit të vënë në oborrin e banesës së gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj.
Manja e cilëson një akt të shëmtuar prej burracakësh që kërkon të intimidojë drejtësinë, por sipas tij nuk do t’ia arrijë dot, ndërsa thekson se është në krah të gjyqtarit dhe familjes së tij.
“Me Tonin Sterkajn më ka njohur puna si drejtues i Prokurorisë Shkodër, gjatë viteve 2002-2007 dhe miqësinë tonë të atyre kohëve të vështira e kemi pasurinë tonë më të madhe. Si mik dhe si koleg, sot, i kam shprehur Toninit dhe familjes së tij gjithë mbështetjen time!
Si Ministër i Drejtësisë, kërkoj nga organet kompetente të zbardhin sa më parë këtë akt të shëmtuar prej burracakësh që kërkon të intimidojë drejtësinë, por që nuk do ia arrijnë dot, aq më tepër me Tonin Sterkajn, gjyqtarin më të vjetër e më me përvojë që ka sistemi i drejtësisë sot në juridiksionin e shkallës së parë! Sot jam në krah të Toninit dhe familjes së tij dhe jam i bindur se drejtësia do triumfojë dhe në këtë rast!”, shkruan ministri.
Kujtojmë se rreth orës 03.00 të mëngjesit gjyqtarit Tonin Sterkaj iu vendos lëndë plasëse në oborrin e banesës së tij në qytetin e Shkodrës.
Sipas gazetarit të Top Channel, Klodian Zhivani gjyqtari ka deklaruar në polici se nuk kam dijeni kush e ka bërë.
“Nuk kam dijeni se kush e ka bërë, unë jam gjyqtar dhe kam çështje penale çdo ditë në gjykim”, mësohet të ketë thënë ai.
Nga raportimet e para bëhet me dije se nuk ka persona të lënduar, por vetëm dëme materiale. Grupi hetimor në vendngjarje po heton mbi këtë rast dhe personin apo personat që kanë vendosur sasinë e lëndës plasëse dhe shkaqet.
Ndërsa e shprehu mbështetjen e magjistratëve përmes një reagimi në Facebook pas ngjarjes, Këshilli i Lartë Gjyqësor nesër mbledh komisionin e posaçëm për mbrojtjen e gjyqtarëve.
Top Channel