Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi përfundimin e punimeve për asfaltimin e rrugës në fshatin “Gurrë të Vogël”, nga ku komentoi edhe protestën e djeshme të Rithemelimit dhe Partisë së Lirisë.
Ai u shpreh se është më e vështirë të punosh në shërbim të komunitetit, se sa të hedhësh një shishe me molotov, pasi në fund banorëve do u ngelen rruga, shkolla dhe kopshti.
“Për vitin tjetër sfida duhet të jetë që njerëzit të hapin sytë dhe të shohin kush punon dhe kush hedh bomba. Duhet me u thënë kush i bën punët, shkollat dhe rrugët. Për molotovët, jepja shishen edhe budallait më të madh dhe ai e hedh. Kurse për të bërë ndonjë punë, për të kapur lopatë, për të kapur kazmën, për të kapur rulin, eskavatorin, është një çikë më e vështirë. Në fund, mbetet rruga; ato muhabetet me molotov do harrohen. Rruga do mbetet, shkolla do mbetet, kopshti do mbetet”, tha Veliaj.
Ai shtoi se me asfaltimin e rrugës, rritet edhe vlerat e pronës në këtë zonë, duke marrë shembullin e fshatrave Qeha dhe Tagan. Ai u shpreh se parimi i Bashkisë së Tiranës eshte qenë një qytet që ecën me të njëjtën shpejtësi në qendër, ashtu edhe në periferi.
Projekti i përfunduar nga Bashkia e Tiranës përveç asfaltimit, ka bërë të mundur edhe rehabilitimin e akseve rrugore dhe rikualifikimin urban të hapësirës së sheshit qendror të fshatit, duke realizuar një hapësirë të përshtatshme për banorët dhe automjetet.
Top Channel