Çdo katër vite edhe në universitete ka zgjedhje. Ministria e Arsimit ka përcaktuar 21 qershorin si datën kur do të zhvillohet gara për autoritetet e reja drejtuese në të gjithë institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri.
Ndërkohë 1 muaj para kësaj date do të kenë kohë kandidatët për të shpalosur platformat e tyre pse duhet të zgjidhen në krye të institucioneve.
Rregulloret e procesit zgjedhor janë hartuar si dhe janë ngritur komisionet institucionale të zgjedhjeve, teksa priten emrat e kandidatëve, të cilët kanë të drejtë të vetëkandidohen, në varësi edhe të disa kritereve. Mirëpo, kur akademikët janë përfshirë në ethet e përgatitjes së zgjedhjeve universitare, në përgjithësi studentët nuk janë në dijeni të procesit, e madje shprehen paragjykues për rezultatin.
“E di që ekziston si proces, por nuk më intereson të merrem”.
“Nuk do votoj se nuk besoj”- u shprehën disa prej studentëve.
Ligji për arsimin e lartë lejon që rektorët, dekanët apo drejtuesit e departamenteve të shërbejnë vetëm në dy mandate. Ndërsa pesha e studentëve në përzgjedhjen e autoriteteve drejtuese në universitete, krahasuar me pedagogët , llogaritet në masën 10% të totalit të votave.
“Transparenca duhet më shumë për mendimin tim dhe meritokracia. Pesha e studentëve duhet të ishte 50 me 50 se ne e dimë më mirë kush duhet të na drejtojë”- tha një studente.
Në këto kushte, do të ndërpritet karriera e drejtuesit për rektorin e mjekësisë Arben Gjata, rektorin e politeknikut Andrea Maliqarin, rektorin e arteve Kastriot Caushin dhe rektorët e universiteteve të rretheve në Vlorë, Elbasan dhe Gjirokastër. Ndërsa kanë të drejtë të rizgjidhen rektori i Universitetit të Tiranës, Artan Hoxha, rektori i bujqësorit Fatbardh Sallaku, rektori i sporteve Agron Kasa dhe rektorja e durrësit Kseanela Sotirofski.
Top Channel