“Patriot, kush i kthehet tokës”/ Presidenti Begaj: Emigracioni po rrezikon bujqësinë

26/04/2024 19:54

Presidenti Bajram Begaj vizitoi panairin ndërkombëtar të bujqësisë në Lushnjë, të cilin e konsideroi tregues të partneritetit të prodhuesve shqiptarë me ata të huaj, si dhe arritje të konkurrueshmërisë së produkteve tona në tregjet ndërkombëtare.

Ai bisedoi me fermerë, blegtorë dhe sipërmarrës mbi zhvillimin e bujqësisë dhe ruajtjen e cilësisë e sigurisë së produkteve.

“Produktet bujqësore Made in Albania duhet të jenë edhe krenari kombëtare. I kemi të gjitha mundësitë. Tashmë, duhet vendosmëri për të vijuar punën e nisur dhe dashuri për këtë tokë”.

Duke theksuar rëndësinë e bujqësisë për ekonominë shqiptare, mirëqenien dhe punësimin, Presidenti i Republikës theksoi se, duhet të aplikohen skema dinamike që ofrojnë zgjidhje përballë sfidave të kohës, ku më emergjente është lëvizja demografike dhe emigracioni.

“Largimi nga fshati nuk vjen nga joshja e dritave të qytetit, brenda apo jashtë vendit, por nga pamundësia për një mënyrë jetese që sjell jo vetëm arritje personale, por kontribuon edhe në mirëqenien e shoqërisë”

Në këtë kontekst, Presidenti i Republikës shprehu mirënjohje për ekspertët e bujqësisë dhe për ata shqiptarë që pas emigracionit u janë rikthyer tokave, një rol të cilin e vlerësoi si patriotik, duke garantuar mbështetjen e tij për fuqizimin e sipërmarrjeve private, në mënyrë që mundi i fermerit dhe blegtorit të shpërblehet.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA