Apeli i GJKKO ka lënë në burg Evis Berberit dhe dy biznesmenët, Valter Begajt dhe Ervis Lami, duke rrëzuar kështu anikimin e tyre.
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtarja Saida Dollani, sot më 25.04.2024, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 16 akti, datë 16.04.2024 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim E.B., E.L., V.B., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 21, datë 13.03.2024, verifikuar me vendimin nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit nr. 21, datë 13.03.2024 dhe të vendimit nr. 27, datë 16.03.2024 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, njofton Apeli i GJKKO.
Disa ditë më parë, SPAK kërkoi arrestimin e Evis Berberit, drejtor i Autoritetit Rrugor Shqiptar, i dorëhequr nga detyra pak përpara se të përfundonte në pranga. Gjykata e Posaçme miratoi kërkesën ndaj ish zyrtarit i cili dyshohet se kreu korrupsion dhe pastrim parash. Për të njëjtën skemë u firmosën fletë arreste dhe për dy biznesmenët Ervis Lamaj dhe Valter Begaj.
Një person i katërt është nën hetim në gjendje të lirë. Hetimet e SPAK hedhin dyshime mbi shitblerjen e një shoqërie midis të hetuarve, që në 2018 emërohej ‘Vaal eng 10” blerë prej Valter Begajt nga Berberi për një shumë prej 100 mijë lekë.
E pagëzuar më tej si shoqëria “ DAAM “, ajo u administrua nga Lamaj dhe u shit në vazhdim për 500 mijë euro nga shtetasja B.B., por që 2021 u rikthye tek Valter Begaj duke u blerë për gati 2 milionë euro.
SPAK njoftoi se ka dyshime që Berberi si ish drejtor i Agjencisë për eficencën e energjisë dhe si titullar i ARSHH kreu gjashtë procedura prokurimi, në të cilat fitues ishte bashkimi i operatorëve të Valter Begajt me një vlerë prej gati 2 milionë euro
Marrja e përfitimeve, deklaron SPAK, është realizuar pas fitimit të procedurave të prokurimit nga Valter Begaj duke i kaluar transaksionet tek shoqëria që zotërohej indirekt nga zyrtari. Në banesën e ish drejtorit u sekuestruan gati 4 milionë lekë në valutë paund dhe euro si dhe 5 aparate telefonash prej nga ku po verifikohen disa biseda.
Top Channel