Çmimet e naftës shënuan rënie të mërkurën ndërsa janë ulur shqetësimet për konfliktin në Lindjen e Mesme dhe tregu amerikan i punës ka filluar të japë shenja ngadalësimi.

Rezervat amerikane të naftës së papërpunuar ranë me 6.4 milionë fuçi.

Analistët e bankës Goldman Sachs parashikuan më herët se çmimi tavan i një fuçie nafte në tregun Brent mund të vërtitet në rreth 90 dollarë. Aktiviteti i biznesit në Shtetet e Bashkuara në prill shënoi nivelin më të ulët gjatë katër muajve të fundit.

Çmimi i një fuçie nafte të papërpunuar ra në 88.2 dollarë në tregun Brent, i cili shihet si pikë referimi e çmimeve globale të naftës. Ndërsa një fuçi naftë u shit me 82.81 dollarë në tregun WTI, që ka të bëjë me çmimet e naftës bruto në Shtetet e Bashkuara.

Rënia eliminoi disa nga fitimet e tregut Brent në fillim të javës, e nxitur nga rënia e vlerës së dollarit amerikan.

“Duket se tregu mendon se ka një zbutje të tensioneve në Lindjen e Mesme”, thotë Tim Snyder, ekonomist në “Matador Economics”.

Shtensionimi i perceptuar mes Iranit dhe Izraelit mund të shkaktoj rënien e çmimit me 5 deri 10 dollarë për fuçi gjatë muajve të ardhshëm, thonë analistët e bankës Goldman Sachs.

Agjencia amerikane për energjinë njoftoi se rezervat amerikane të naftës bruto ranë me 6.4 milionë fuçi në 453.6 milionë fuçi. Kjo rënie është rezultat i eksporteve shumë të larta të naftës së papërpunuar, tha analisti Giovanni Staunovo, me bankën shumëkombëshe UBS me qendër në Zvicër. Megjithatë, thotë ai, të dhënat paraprake të kësaj jave nga lundrimi i anijeve cisterna tregojnë për eksporte më të ulëta.

Muaji prill shënoi shkallën më të ulët të aktivitetit të biznesit në Shtetet e Bashkuara gjatë katër muajve të fundit. Korporata S&P (Standard & Poor) tha të martën se sektorët e manifakturës dhe shërbimeve kanë pësuar rënie këtë muaj. Banka qendrore amerikane pritet që fillojë uljen e normave të interesit këtë vit, manovër që mund të nxisë rritjen ekonomike dhe stimulonte shtimin e kërkesës për naftë.

Ndërkohë në Gjermani, një anketë e opinionit publik për biznesin tregon përmirësim të moralit, duke rritur shpresat se ekonomia më e madhe e Bashkimit Evropian mund të jetë duke u kthyer në drejtimin e duhur.

Edhe pse janë lehtësuar shqetësimet rreth tensioneve gjeopolitike në Lindjen e Mesme, konflikti Izrael-Hamas vazhdon të ashpërsohet. Sipas burimeve të mërkurën, Izraeli po përgatitet të evakuohet nga Rafah përpara një sulmi të premtuar ndaj atij qyteti. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA