“E papranueshme gjuha që po përdor”, ish-prokurori për sulmet e Metës ndaj kreut të SPAK: Reagimi lidhet me hetimet ndaj tij dhe Kryemadhit

24/04/2024 09:22
Ish-prokurori Eugen Beci në "Breaking"

Ish-prokurori Eugen Beci i ftuar në emisionin “Breaking” me gazetaren Dafina Hysa në Top News, ka folur mbi sulmet dhe fyerjet e shpeshta të kryetarit të Partisë së Lirisë, Ilir Meta ndaj kreut të SPAK, Altin Dumani.

Ai tha se askush nuk ndihet mirë kur sheh që një ish-zyrtar i lartë që ka mbajtur postet më të rëndësishme të vendit, drejtohet ndaj prokurorëve me një gjuhë të tillë. Beci shtoi se nëse Meta ka pretendime se SPAK është i ndikuar politikisht në hetimet ndaj tij, atëherë duhet t’i provojë këto pretendime në një mënyrë tjetër.

“Një person, qoftë edhe prokuror nuk ndihet mirë kur një person që ka mbajtur postet më të larta shtetërore, reagon në këtë mënyrë. Dëshira për të sulmuar prokurorët duhet të largohet. Një dëshirë që ka lindur që nga viti 2013 kur politika filloi të intimidojë të gjithë magjistratët. Është një sulm që nuk duhet të jetë personal por të bazohet në partime. Nëse SPAK për Metën ka të dhëna që ndikohen politikisht, zotëria në mënyrën më të mirë të mundshme mund t’i tregojë këto të dhëna dhe të zbulojë se SPAK është kapur politikisht”- u shpreh Beci.

Më tej, sa i takon arsyes së reagimit të ashpër nga Meta, sh-prokurori tha se kjo mund të lidhet me fazën ku mund të ndodhen hetimet ndaj kreut të PL dhe bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi.

“Nëse është një lloj reaksioni ndaj hetimeve të SPAK, atëherë mendoj se është normale të përballen në sallat e gjyqit dhe argumente ligjore për të zbuluar edhe shkeljet proceduriale që ata pretendojnë. Nga veprimet e kryera nga prokuroria, çifti Meta ka kuptuar se ka një hetim ndaj tyre dhe sigurisht kanë të drejtën e tyre të reagojnë por në përmbajtje, forma e zgjedhur nuk është e duhura”- shtoi ish-prokurori.

Ndër të tjera Beci tha se prokurorët nuk duhet të intimidohen nga sulme të tilla dhe t’i hedhin poshtë duke paraqitur prova të pakundërshtueshme që mbështesin hetimin ndaj Metës dhe Kryemadhit.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA