Anulimi i provimit të fazës së dytë, reagon Shkolla e Magjistraturës: Pasi u bë verifikimi i të gjitha ankesave…

24/04/2024 22:03

48 orët e fundit, gara prej nga ku do fitojnë 45 kandidatë për prokurorë dhe gjyqtarë, ka ngecur jo vetëm për shkak të konstatimeve të rezultateve nga pretendentët, por edhe për shkak të dritëhijeve që po shoqërojnë procesin e renditjes së pikëve.

Më i fundit është jo vetëm anulimi i provimit dy herë brenda ditës, por edhe shtimi i fituesve fillimisht nga 79 u bë 121 dhe në orët e pasdites shkoi 131 persona. Kjo listë aprovohet si zyrtarja që shkon në fazën e dytë të provimit, i cili mbasi u anulua të mërkurën, do të mbahet të enjten në orën tetë të mëngjesit.

Pas këtyre zhvillimeve, është mbledhur Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, që sqaron pse u shty provimi.

“Këshilli Drejtues i Shkollës së Magjistraturës, u mblodh sot, më datë 24 prill 2024, për të marrë një informacion të plotë mbi ecurinë e fazës së parë të provimit të pranimit në Shkollën e Magjistraturës dhe për të diskutuar mbi vijimësinë e këtij procesi.

Nga ana e Drejtorit të Shkollës u paraqit një relacion i plotë i ecurisë së deritanishme të provimit të pranimit. Këshilli Drejtues u informua lidhur me problematikën që u shkaktua nga pamundësia objektive dhe tërësisht teknike, për të shpallur menjëherë, pas vlerësimit elektronik me anë të pajisjes scantron, të listës së fituesve të fazës së parë të provimit të pranimit.

Drejtori i Shkollës, njëherësh administrator i provimit, informoi Këshillin Drejtues mbi të gjitha hapat që ndoqi Shkolla e Magjistraturës dhe Komisioni i vlerësimit elektronik dhe konkretisht:

Së pari, Drejtori i Shkollës pas konstatimit:

të një numri mjaft të ulët kandidatësh që rezultonin fitues, krahasuar me vitet e tjera;

se kishte teza të cilat ishin vlerësuar me 2 pikë, apo 5 pikë, etj;

se pajisja scantron kishte lexuar 96 përgjigje nga 100 përgjigje të çelësit të tezës së provimit, por edhe duke parë ankesat e menjëhershme të konkurrentëve të pranishëm në sallën e provimit, urdhëroi nisjen e një procesi verifikimi administrativ dhe vendosjen në dispozicion të Komisionit të vlerësimit elektronik të një pajisje të re scantron, që do të vleftësonte përgjigjet e konkurrentëve;

Së dyti, Drejtori i Shkollës urdhëroi që, vetëm pasi të bëhej ky verifikim nga Komisioni i vlerësimit elektronik, të shpallej lista e fituesve të fazës së parë dhe pas përfundimit të këtij procesi, të niste verifikimi i të gjitha ankesave të ardhura nga konkurrentët, në përmbushje të detyrimeve dhe rregullave të vendosura në Rregulloren e Shkollës së Magjistraturës;

Së treti, u informua Këshilli Drejtues mbi punën intensive dhe tepër voluminoze të Komisionit të vlerësimit elektronik për shqyrtimin e ankesave, si dhe për regjistrimin e këtij procesi;

Së katërti, u sigurua Këshilli Drejtues se Komisioni i vlerësimit elektronik ka grumbulluar dhe ka administruar çdo kërkesë ose ankesë, të paraqitur fizikisht ose në adresën zyrtare të Shkollës, dhe rezultati i vendimmarrjes së këtij komisioni do të shpallet brenda 24 orëve nga momenti i shpalljes së listës së fituesve;

Së pesti, Drejtori i Shkollës argumentoi se procesi i ndjekur nga Shkolla e Magjistraturës ishte në përputhje të plotë me interesin publik, dhe me synimin që procesi i rekrutimit në Shkollën e Magjistraturës të jetë i paanshëm, transparent dhe i bazuar në meritë.

Së fundmi, Drejtori i Shkollës informoi Këshillin Drejtues, se pas verifikimit të bërë të tezave, në prani të konkurrentëve, asnjë kontestim apo pasiguri nuk u shfaq nga ana e tyre.

Këshilli Drejtues diskutoi në tërësi mbi informacionin e përcjellë nga Shkolla e Magjistraturës, mbi interesin publik të këtij procesi, mbi hapat e ndjekura dhe mbi vijimin e provimit të pranimit dhe konkludoi se, zgjidhjet e dhëna nga administratori i provimit, Drejtori i Shkollës së Magjistraturës, dhe më tej, puna e Komisionit të vlerësimit elektronik, tregon për një përpjekje të Shkollës në përmbushjen me rigorozitet të detyrimeve ligjore e morale që shoqërojnë procesin e rekrutimit.

Këshilli Drejtues pasi diskutoi dhe argumentoi se, megjithë përpjekjet e Shkollës së Magjistraturës, për të bërë të mundur daljen deri në orën 15.00 të datës 24.04.2024, të listës përfundimtare të konkurrentëve që do të marrin pjesë në fazën e dytë të provimit, orë që ishte vendosur për zhvillimin e fazës së dytë të provimit dhe se afati shumë i shkurtër ndërmjet shpalljes së listës dhe nisjes së provimit mund të shkaktonte pasiguri ose pamundësi efektive të kandidatëve për të marrë pjesë në provimin e fazës së dytë, propozoi që provimi të shtyhet për ditën e nesërme, datë 25 prill 2024, ora 8.00.

Vendimi i Këshillit Drejtues me datat dhe orën e zhvillimit të fazës së dytë të provimit të pranimit do të njoftohet sërish për publikun.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA