Një 53 vjeçar është ndaluar nga policia e Tiranës nën akuzën e goditjes së efektivëve të policisë në protestën e dhunshme që opozita mbajti para bashkisë së Tiranës më 19 prill.
Policia njofton se është arrestuar 53 vjeçari me iniciale A.M, banues në Tiranë.
Gjatë protestës së dhunshme, 53 vjeçari akuzohet se ka kundërshtuar dhe ka ushtruar dhunë ndaj punonjësve të policisë që po kryenin detyrën e tyre.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Me arrestimin e sotëm, numri i të arrestuarve për protestën e dhunshme para bashkisë së Tiranës ka shkuar në katër persona. Një ditë më parë tre protestues u arrestuan ndërsa ndaj 4 të tjerëve nisi hetimi në gjendje të lirë.
Kujtojmë se në protestën e mbajtur më 19 prill, protestuesit hodhën bomba molotov dhe bojë drejt godinës së bashkisë. Ndërsa për të bërë të mundur sigurimin e godinës, u angazhuan dhjetëra efektivë policie me të cilët protestuesit u përplasën fizikisht.
Për protestën pati reagime edhe nga ndërkombëtarët të cilët bënë thirrje për protesta paqësore dhe jo akte të dhunshme.
Top Channel