69 kryepleq të prangosur për shpërdorim detyre me parcelat e hashashit, Haxhi Murati: Kanë ardhur nga rrethet kanë mbjellë drogë, nga t’i gjeja… unë nuk nuhas

20/04/2024 20:30

“Kanë ardhur nga rrethet e tjera kanë mbjellë drogë dhe më thonë pse nuk e ke treguar ti. Nga t’i gjeja unë, unë nuk nuhas”.

Kjo telefonatë vjen nga paraburgimi 313 me rrëfimin e kryeplakut të fshatit Nojë, Haxhi Murati, i cili mbahet i arrestuar prej një viti për akuzën e shpërdorimit të detyrës.

Si një administrator vendor nga 2015 ai është shoqëruar nga policia lokale, dhjetëra herë mbas asgjësimit të parcelave në male. Por gjatë së fundmi ai përfundoi nën hetim nga SPAK, që goditi një grup të strukturuar kriminal.

Megjithatë hetimi provoi se i moshuari nuk njihte asnjërin nga anëtarët e grupit dhe se shkelja që kishte bërë ishte ajo që penalizon çdo kryeplak. Nuk kishte parë kultivuesit e drogës dhe se çfarë ndodhte në fshatin që administronte. Për këtë arsye SPAK shpalli mos kompetencën dhe ia kaloi hetimin e 70 vjeçarit një prokurorie të zakonshme, e cila e dyshon për shpërdorim detyre sepse nuk veproi sipas kompetencave.

Pa një vendim gjykate nëse është apo jo fajtor, i moshuari ka postuar kërkesa në gjykatë jo vetëm me argumentin e moshës, pafajësisë por edhe edhe se e kanë harruar në qeli.

Çfarë prisni nga drejtësia?

Murati: Unë faktikisht nuk kam asnjë lloj faji

Këtë e thotë gjithë të arrestuarit, por cila është alibia juaj?

Murati: Nuk kanë asnjë lloj fakti që jam i lidhur me grupet kriminale apo që i kam ndihmuar, sido që të jetë. As në fshatin tim nuk është mbjellë drogë

Gjatë kësaj kohe në burg Haxhi Murati njohu edhe kryepleq të tjerë si ai, që dyshohen se kryen të njëjtin krim, atë të neglizhencës për të treguar çfarë ndodhte në fshat. Vitin e kaluar si  të akuzuar për shpërdorim detyre mbas asgjësimit të parcelave me drogë përfunduan në pranga 128 persona, mes tyre punonjës të OSHEE apo të ujësjellës kanalizimeve. Por në këto të dhëna kryesojnë kryepleqtë, mbasi TCH mëson se u prangosën 69 persona

Do ktheheni në pozitën tuaj si kryeplak?

Murati: Jo nuk kam besim në ndaj këtyre, sepse mund të më bien prap. Nuk e marr më atë detyrë

Nga viti 2018 rezulton se u arrestuan për të njëjtën shkelje, 457 kryepleq, dhe që të gjithë kanë këmbëngulur pafajësi me argumentin se ishte e pamundur të kontrollojnë territorin.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA