Ka vijuar dita e dytë e gjyqit ndaj ish-presidentit Donald Trump mbi çështjen e falsifikimit të bilanceve të biznesit të tij.
Shtatë anëtarë të jurisë u vendosën të martën në panelin që do të vendosë fajësinë ose pafajësinë e ish-presidentit Donald Trump një proces që ka nxjerrë në pah se sa e vështirë – dhe shpesh e diskutueshme – do të jetë zgjedhja e një jurie të plotë thotë media amerikane CNN.
Deri më tani, katër burra dhe tre gra janë përzgjedhur për të shërbyer në jurinë që do të shqyrtojë përfundimisht 34 akuza për falsifikimin e të dhënave të biznesit kundër Trump.
Vetë ish-presidenti, nuk mund t’i bënte ndjenjat e tij më të qarta. Përpara kamerave ai u shpreh se do donte të ishte kudo tjetër se në një sallë gjyqi në Nju Jork.
Veshur me një kostum blu dhe me një kollare blu, ish-presidenti u duk shpesh i pakënaqur ose i mërzitur, ndërsa ulej në sallë për ditën e dytë të procedimit historik, gjyqi i parë kriminal ndaj një presidenti të SHBA-ve.
“Ky gjyq nuk duhej të ndodhte kurrë,” u tha gazetarëve ish-presidenti jashtë sallës së gjyqit, ndërsa bëri akuza të rënda ndaj rivalit demokrat Joe Biden me të cilin do të përballet në zgjedhjet e nëntorit.
Trump akuzohet për falsifikimin e të dhënave të biznesit në një skemë për të mbuluar raportet në prag të fitores së tij në zgjedhjet e vitit 2016 se ai kishte një lidhje jashtëmartesore me një yll të filmave për të rritur.
Për Trump kjo është vetëm një përndjekje që i bëhet nga rivalët politikë. Tani, në prag të fushatës presidenciale 2024, “Unë duhet të jem tani në Pensilvani, në Florida, në shumë shtete të tjera, Karolina e Veriut, Xhorxhia, duke bërë fushatë”, tha ai.
Top Channel