“Ti je si deklarohesh”: Parlamenti gjerman ‘OK’ ligjit për gjininë, lehtëson aplikimet!

13/04/2024 08:41

Parlamenti gjerman i dha dritën jeshile ligjit që lejon një person të vendosë vetë lidhur me gjininë e tij, lëvizje kjo që lehtëson ndjeshëm aplikimet për ndryshimin e saj.

Aktualisht, në Gjermani kushdo që dëshiron të ndryshojë gjininë në dokumenta, duhet të kalojë një procedurë me shumë pengesa: Janë të nevojshme dy ekspertiza psikologjike me pyetje nga më intimet. Në fund vendos gjykata. Personat e prekur e kritikojnë këtë procedurë si të stërzgjatur, të kushtueshme dhe denigruese.

Ligji i ri e ndryshon këtë gjë: në bazë të tij, këtej e tutje gratë e burrat trans si dhe njerëzit transgjinorë që nga lindja, të cilët kanë tipare femërore dhe mashkullore, mund të aplikojnë lehtësisht për ndryshimin e gjinisë në dokumenta. E njëjta gjë vlen edhe për njerëzit që nuk klasifikohen as meshkuj dhe as femra. Ligji i vitit 1980 ende sot në fuqi njihet si ligji për transgjinorët (TSG). Qofshin njerëzit burrë, grua apo ndryshe: Në të ardhmen secili vendos vetë se cilën gjini do të regjistrojë në dokumenta si dhe emrin në pasaportë.

Në vend të një ekspertize të dyfishtë si deri më tani, bazuar në rregulloren e re do të mjaftojë një vetëdeklarim në gjendjen civile. Të prekurit do të duhet të mbrohen në privatësinë e tyre në rast se nuk duan ta bëjnë publike këtë ndryshim, që në gjendje civile do t`u mundësohet edhe të rinjve nga mosha 14 vjeç.

Kritikët argumentojnë se ligji ka boshllëqe sigurie dhe mund të keqpërdoret prej kriminelëve, sepse nuk parashikohet deklarimi i ndryshimit të gjinisë dhe të emrit në organet e sigurisë, e po kështu nuk garantohet as mbrojtja e fëmijëve dhe të rinjve.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA