Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Olsian Çela, ishte ditën e sotme i pranishëm në mbledhjen e Këshillit Kombëtar për Integrimin Europian ku raportoi për punën e prokurorisë që drejton në raport me prioritetet e vendosura nga BE.
Çela tha se prokuroria e Përgjithshme ka pasur një koordinim të kënaqshëm me SPAK-un. Duke dhënë shifrat, ai tha se 32 çështje që lidhen me korrupsionin i janë dërguar SPAK-ut nga ana e prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm.
“Çështjet e korrupsionit, pavarësisht se lidhet me SPAK, përbën një pjesë të rëndësishme të punës tonë. Bashkërendimi i prokurorisë me SPAK, 32 cështje që janë dërguar SPAK-ut nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm. Një pjesë e mirë e cështjeve, 6 raste rezutlatet vijnë nga metodat speciale të kërkimit. Gjatë vitit 2023 janë regjistruar 170 procedime me 123 të pandehur për korrupsion. Vihet re një trend pozitiv ku një pjesë e çështjeve që kanë të bëjmë me korrupsionin, janë nisur kryesisht nga prokurorët”– tha Çela.
Një punë e mirë është bërë edhe në sektorin e hetimit të pastrimit të parave, u shpreh Çela. Sipas tij, si rezultat i punës së prokurorisë që ai drejton, Shqipëria doli nga lista gri e pastrimit të parave në muajin tetor të vitit të kaluar.
“Që nga viti 2020 bëmë një organizim përmes krijimit të seksioneve të specializuara. Është bërë një progress shumë i mirë në këtë aspect. Në muajin tetor Shqipëria doli nga lista gri sa i përket pastrimit të parave. Kjo erdhi si rrjedhojë e një pune intensive të gjithë sistemit të prokurorisë. Rezulton se në 2023 janë regjistruar 156 procedime të reja sa i përket pastrimit të parave, 16 persona të dërguar për gjykim dhe 22 të dënuar për pastrim parash”- shtoi kryeprokurori i përgjithshëm i cili dha edhe 2 shembuj sa i takon hetimit financiar.
“Në vetëm 2 çështje që mund të jap si shembull, në një rast kemi sekuestrimin e e llogarive bankare të 15 shoqërive në një vlerë prej 5.8 milionë eurosh ndërsa në çështjen e dytë kemi sekuestrimin e llogarive bankare në 1.8 milionë euro”- shtoi Çela
Në përfundim të fjalës së tij, kreu i Prokurorisë së Përgjithshme tha se vihet re një volum i shtuar i krimeve kibernetike por po punohet me partnerët ndërkombëtarë për kapjen e autorëve. Ndërsa theksoi se sfida e vetme mbetet krijimi i sistemit të menaxhimit të çështjeve.
Top Channel