Bardhi riktheu Berishën në grupin e PD, Alibeaj i kthehet Nikollës: Po përdorni karrigen për të përcaktuar qëndrimet tona politike, nuk është prona juaj private

11/04/2024 10:45

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së zyrtare, Enkelejd Alibeaj reagoi ashpër për njoftimin që bëri kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla për rikthimin në grupin parlamentar të disa deputetëve të përjashtuar, mes të cilëve edhe ish-kryeministrin Berisha.

Nikolla lexoi një njoftim të ardhur nga kreu i grupit të PD-së, Gazment Bardhi që solli edhe reagimin e Alibeajt.

“Keni vendosur ta konsideroni këtë parlament si pronën tuaj private. Dëgjova pak më parë të thoni që po anuloni ju vendimet e grupit parlamentar të PD-së për largime apo afrime? A mund të kemi një informacion nga ju se për cilat akte bëhet fjalë, cilat keni anulluar ju? Cfarë aktesh, me ccfarë dokumentacioni? Nuk mund të përdorni ju atë karrige për të përcaktuar se cilat janë qëndrimet politike që një grup mban, minimumi duhet ta bësh transparente. Për cilët deputetë apo jo keni vendosur që t’i fusni apo jo në grupin e PD. ende nuk e keni ndarë përfundimisht historinë se si bëhet përfaqësimi dhe nga kush kryesohet grupi i PD. Është detyrim ndaj publikut. Nëse bëhet fjalë për largime nga grupi parlamentar të ndërmarra në mënyrë sistematike nga PD, ka edhe një qëndrim politik ndaj tyre. Nuk mund të merrni përsipër të kuroni edhe qëndrimet politike të PD”, tha Alibeaj.

Më tej në deklaratë për mediat ai tha se edhe rikthimi i Berishës në grupin e PD është pjesë e pazarit të PS me Rithemelimin. “Lindita Nikolla kuron qëndrimet politike të PD, mendoni ku ka shkuar grotesku. Mbron interesat e PD, Nikolla. Ja ku të çojnë pazaret e natës. Qëndrimi PD ka qenë parimor dhe do të vazhdojë të jetë i tillë, asnjë i korruptuar dhe asnjë nongrata nuk do të jetë pjesë e PD”.

Lidhur me rikthimin e deputetëve të përjashtuar në grupin parlamentar të PD-së, reagoi edhe Edmond Spaho. Ai tha se pozicionimi i deputetëve nuk përcaktohet nga përjashtimet enveriste të Lulzim Bashës apo përgjimet e Enkelejd Alibeajt.

“Në lidhje me përkatësinë e deputetëve në grupet parlamentare. Ka ardhur koha t’i japim fund profkave. Nuk duhet të gënjejmë qytetarët, është një çështje që e keni në rendin e ditës. Pozicionimi i deputetëve nuk përcaktohet nga përjashtimet enveriste të Lulzim Bashës apo përgjimet e Enkelejd Alibeajt, përcaktohen në bazë të ligjit”, tha Spaho.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA