Tre persona, mes të cilëve dhe vëllai i deputetit socialist Eduart Ndreca, u arrestuan pas një operacioni antidroge në zonën e Kashnjetit në Lezhë. Policia bëri me dije se kishte arrestuar Armel Nikdukaj 27 vjeç dhe Elvis Shpellzai 28 vjeç banues në Koplik dhe Armando Ndrecaj 32 vjeç.
“Kishin përshtatur një ambient (stan), në pyjet e fshatit Kashnjet, për kultivim të bimëve narkotike cannabis sativa, nëpërmjet llambave që furnizoheshin me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike”, thuhet në njoftimin e policisë. Policia bëri me dije se Shpellzai dhe Nikdukaj u arrestuan në flagrancë, ndërsa Ndrecaj rezultoi i lidhur me kanabisin pas hetimeve.
Policia tha se sekuestroi 2973 bimë narkotike (disa prej tyre fidanë të gatshëm për t’u kultivuar në tokë), një sasi lënde narkotike cannabis sativa, 50 llamba, pajisje ventilimi, sende të tjera që i shërbenin kësaj veprimtarie kriminale dhe 3 celularë.
I pyetur nga BIRN në lidhje me arrestimin e të vëllait, deputeti i Partisë Socialiste Eduart Ndreca tha se nuk kishte ende një njoftim zyrtarë. Megjithatë Ndreca tha se i vëllai duhej të hetohej si çdo qytetar tjetër.
“Nuk ka ende njoftim zyrtar nga prokuroria, por dua të them që prokuroria dhe policia duhet të bëjnë punën e tyre pavarësisht kush është personi, vëllai im si gjithë qytetarët është i barabartë para ligjit”, tha ai në telefon.
Rasti i Ndrecës nuk është i pari. Familjarë të personave të përfshirë në politike janë arrestuar herë pas here për përfshirje në aktivitete kriminale./Birn
Top Channel