Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha në një lidhje skype për emisionin “Breaking” me gazetaren Fiori Dardha në Top News dha detaje për operacionin e zhvilluar ditën e djeshme në Shqipëri dhe Itali ku u arrestuan 13 persona, anëtarë të një grupi të trafikut të drogës.
Hoxha u shpreh se pjesë e grupit kriminal, ishin shqiptarë, italianë dhe arabë të cilët merreshin me trafikun e kokainës dhe kanabisit.
“Bëhet fjalë për grup të miksuar jo vetëm me shqiptarë, por edhe italianë dhe arabë të cilët kishin formuar një vatër të shpërndarjes së kokainës dhe kanabisit me qendër në Bologna të Italisë. Deri tani janë arrestuar 11 persona. Hetimi është kryer nga drejtësia italiane, deri tani janë arrestuar 11 persona. Aksioni këtu në Shqipëri është organizuar nga policia e shtetit dhe forcat operacionale ndërkohë që në Itali po ekzekutoheshin urdhrat e tjerë të masave të sigurimit “arrest me burg”– tha Hoxha.
Ndër të tjera gazetarja zbuloi se 3 të arrestuarit nga policia shqiptare në Vlorë, Floriant Muho, Ledjon Muho dhe Landi Kalemaj, shërbenin si korrierë të lëndës narkotike që trafikohej nga Italia në vende të tjera të Europës.
“Në Shqipëri kërkohej arrestimi i tre personave që konsiderohen si korrierë të grupit kriminal në fushën e narko-trafikut. Në Itali është sekuestruar 20 kg kokainë”– shtoi gazetarja.
Ndaj tre shqiptarëve të arrestuar në Vlorë, gjykata e Bolognias në Itali kishte caktuar “arrest me burg” nën akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.
Top Channel