Favorizuan ndërtuesit e komplekseve luksoze me taksat, 2 drejtorë mes 4 zyrtarëve të pezulluar në bashkinë Korçë! 30 milionë lekë dëm për shtetin (EMRAT)

10/04/2024 11:02

Top Channel ka zbardhur emrat e 4 zyrtarëve të bashkisë Korçë të cilët u pezulluan nga detyra pasi dyshohet se favorizuan ndërtues të ndërtimeve dhe komplekseve luksoze duke iu llogaritur më pak taksa nga çfarë e kërkonte ligji.

Bëhet fjalë për: Zhanet Lubonjën, Drejtore e Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, Bashkia Korçë, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal;

Eerman Gjermanin, Përgjegjës i Sektorit pranë Drejtorisë së Planifikimit dhe Kontrollit të Zhvillimit të Territorit, Bashkia Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Olvas Petro, specialist i Buxhetit, si dhe në cilësinë e specialistit të përllogaritjes së taksës së ndikimit të infrastrukturës, Bashkia Korçë, i dyshuar per kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës” parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal.

Soniel Prifti, Drejtor i Drejtorisë së Taksave dhe Tarifave Vendore, Bashkia Korçë, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Moskallëzimi i krimit” parashikuar nga neni 300 i Kodit Penal.

Katër zyrtarët akuzohen se kanë llogaritur në mënyrë të paligjshme taksën për ndikimin që kanë në infrastrukturë këto ndërtime luksi në lagje të ndryshme të qytetit me qëllim përfitimin personal. Për pasojë ndaj tyre, është caktuar edhe masa e sigurisë “detyrim paraqitje”.

Nga hetimet rezulton se kjo paligjshmëri iu ka sjellë subjekteve përfitime të padrejta monetare dhe i ka sjellë shtetit dëm ekonomik me vlerë mbi 30 milionë lekë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA