Të enjten Kuvendi vendos për mandatin e Xhaçkës, Bardhi: Pres reflektim nga qeveria, nëse deputetët votojnë kundër ‘Kushtetueses’, kryejnë krim në flagrancë

09/04/2024 13:54
Deputeti, Gazment Bardhi

Të enjten Kuvendi pritet të vendosë nëse do ta dërgojë mandatin e ish-ministres Olta Xhaçka për shqyrtim në Gjykatën Kushtetuese apo jo.

Në konferencë që pati me gazetarët, deputeti Gazment Bardhi u shpreh se pret reflektim nga qeveria duke shtuar se Kuvendi nuk duhet t’i imponohet Gjykatës Kushtetuese.

“Unë pres reflektim deri të enjten, nuk e çoj ndërmend, është e paimagjinueshme që mazhoranca me votë të thotë nuk pyesim për vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Nëse ata nuk u imponohen deputetëve për mandatin, pse u imponohen për ligjet. Këtu ka një non-sens që vjen nga humbja e arsyes për shkak të hallit të madh. Hallin e madh të Edi Ramës që firmos kërkesa për investime strategjike, nuk është hall as i Kuvendit as i opozitës”- tha Bardhi.

Më tej, i pyetur sesi do të veprojnë nëse Kuvendi voton kundër dërgimit në Kushtetuese të mandatit të Xhaçkës, Bardhi u shpreh se në këtë rast deputetët do të kryenin krim në flagrancë duke dalë kundër vendimit të Gjykatës Kushtetuese.

“Nëse drejtësia nuk do zbatojë atë përgjegjësi kushtetuese që ka, Shqipëria mund të vazhdojë sikur nuk ka ndodhur asgjë, nëse këtu ka drejtësi dhe prokurori, cilido deputet që ngre kartonin për të refuzuar vendimin e Gjykatës Kushtetuese, kryen krim në flagrancë. Ligji për Gjykatën Kushtetuese, neni 81 thotë se moszbatimi apo pengimi për zbatimin e vendimit të GJK dënohet sipas kodit penal.
Do duhe të respektojnë kushtetutën, Olta Xhaçka ka shkelur ligjin dhe do duhet të mbajë përgjegjësi. Edi Rama ka shkelur dy herë ligjin, duke bërë investitor strategjik bashkëshortin e saj dhe për më tepër me dokumente të falsifikuara. Ai do e kishte marrë vesh brenda një dite po të donte”
– shtoi deputeti.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA