Qeveria ka dërguar për ratifikim në parlament marrëveshjen për sigurimet shoqërore të firmosur mes dy shteteve Shqipëri -Itali më 6 shkurt 2024.

Propozimi për ratifkimin e marrëveshjes ndërmjet dy vendeve për pensionet u bë prej ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit dhe u miratua nga Këshilli i Ministrave në mbledhjen e sotme.

“Vendim për propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore. Në mbështetje të neneve 81, pika 1, e 100, të Kushtetutës, dhe të nenit 17, të ligjit nr.43/2016, “Për marrëveshjet ndërkombëtare në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave
V E N D O S I:
Propozimin e projektligjit “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Italisë në fushën e sigurimeve shoqërore”, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, për shqyrtim e miratim në Kuvendin e Republikës së Shqipërisë, sipas tekstit dhe relacionit, që i bashkëlidhen këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.”

Marrëveshja për pensionet me Italinë është më e rëndësishmja deri më tani, për shkak të numrit shumë të madh të përfituesve.

Shifrat që paraqiten zyrtarisht janë për të paktën 500 mijë shqiptarë, që jetojnë në Itali dhe disa mijëra italianë që jetojnë në Shqipëri. Një nga efektet e kësaj marrëveshje është edhe nxitja e mëtejshme e lëvizjes së popullsisë. Por çfarë përfitojnë 500 mijë shqiptarët që jetojnë në Itali.

Një pjesë e madhe e tyre kanë shkuar atje që në fillim të viteve 90 dhe tani janë në moshën e pensionit apo e kanë mbushur këtë moshë vite më parë. Por nuk kanë mundur që të dalin në pension apo marrin pension shumë të vogël, megjithëse kanë punuar me vite në Shqipëri dhe Itali.

Për të marrë pension në Itali duhen minimalisht 20 vite punë, ndërsa për të dalë në pension në Shqipëri duhen minimalisht 15 vite. Me këtë marrëveshje të gjithë ata që nuk plotësojnë kushtin minimal të viteve të punës, emigrantët kanë mundësi të përfitojnë sepse vitet e punës bashkohen. Ata që kanë 10 vite punë në Shqipëri, e më pas emigruan dhe bënë edhe 10 vite punë në Itali, do përfitojnë pension. Do marrin dy pensione, i pari nga Italia për aq vite punë që kanë atje dhe i dyti nga Shqipëria për vitet e punës që kanë bërë këtu. Pra secili shtet do paguajë sipas viteve të punës respektive.

Por nga kjo marrëveshje ka përfitime të tjera që dalin nga ligjet italianë. Për shembull në Itali aplikohet e ashtuquajtura (Quote 103), nëse emigrantët kanë 38 vite punë, duke bashkuar vitet në Shqipëri dhe Itali, dhe mosha e tij është 65, atëherë ai del në pension direkt.

Mënyra tjetër është për vjetërsi punë, sipas të cilës ata që kanë arritur 42 vite e 10 muaj punë, atëherë merr pension menjëherë pa qenë nevoja për të arritur moshën e pensionit. Nëse një emigrant shqiptar i cili në vitin 1983 ishte 18 vjeç dhe filloi punë duke punuar 8 vite deri sa iku në emigrim në vitin 1991 dhe atje nisi punë të rregullt për 34 vite, sot mund të dalë në pension të plotë pa pritur që të arrijë moshën. Pensionin do e marrë për 34 vite punë në Itali që do paguhet sipas standardit italian dhe 8 vite në Shqipëri sipas standardit shqiptar.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA