“Është rritur krimi nga të huajt”, Gjermania përshpejton dëbimet: Kushdo që nuk i zbaton rregullat, duhet të largohet

09/04/2024 15:40

Me argumentin se krimi në vend është rritur ndjeshëm, sidomos me shifrat gjithmonë e më të larta të të dyshuarve me prejardhje jogjermane, ministrja e brendshme e Gjermanisë, Nancy Faeser, njoftoi se vendi po hedh hapa për të përmirësuar integrimin në shoqëri, por do të shtojë në të njëjtën kohë dhe numrin e dëbimeve.

Përpjekjet e reja të ekzekutivit gjerman vijnë në një kohë përpjekjesh të shtuara të tij për të shmangur avancimin e konsiderueshëm të partisë së ekstremit të djathtë, Alternativa për Gjermaninë (AfD) në zgjedhjet e këtij viti.

Sipas Faeser, të dhënat aktuale tregojnë se ka pasur 5.5 për qind rritje të krimit vitin e kaluar dhe 13.5 për qind rritje e numrit të të dyshuarve me prejardhje të huaj.

“Shkelësit e huaj duhet të largohen nga Gjermania shumë më shpejt. Rregullat e ashpra që i kemi krijuar për dëbim duhet të zbatohen”, deklaroi ministrja.

Kushdo që nuk i zbaton rregullat, duhet të largohet”, shtoi ajo ndërsa kujtoi edhe një herë do të jetë zero tolerancë për krimet e dhunshme, të cilat janë rritur për 8.6 për qind në vitin e kaluar.

Partitë opozitare, si konservatorët, ashtu edhe Alternativa për Gjermaninë, po e rrisin mbështetjen mes votuesve falë premtimeve të tyre për politika më të rrepta ndaj emigrantëve, përfshirë këtu kontrollet më të ashpra kufitare dhe më shumë dëbime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA