Ka rënë sërish në prangat e policisë greke Dhimitri Çiço, një-28 vjeçar nga një fshat i Fierit.
Gazetari Artur Bibe bën me dije për Top Channel se në organet greke të drejtësisë dhe në media ai njihet si Nektarios Karakalios, një person me rrezikshmëri të lartë shoqërore, i konsideruar si një ndër personat që hapin zjarr në kuadër të veprimtarisë së grupit kriminal shqiptar “LIONS” me bazë në Athinë dhe i dyshuar për dhjetëra krime, përfshirë vrasje.
Ditën e djeshme ai është arrestuar sërish nga policia greke i dyshuar si autor i një vrasjeje, edhe pse në harkun kohor të të paktën 13 muajve të fundit është arrestuar disa herë për vrasje, tentativa vrasjeje e vepra të tjera më të lehta, por është liruar.
Dhimitri Çiço alias Nektarios Karakalios është arrestuar nga policia greke si i dyshuar për vrasjen e shtetasit afgan Bahman Rasuli, 35 vjeç, ngjarje e ndodhur në 8 mars 2024 në Athinë. Sipas policisë greke, ngjarja ka ndodhur pas një përplasjeje mes një grupi prej 7 shqiptarësh me 6 afganë. Çiço ka hapur zjarr ndaj afganëve fillimisht duke mos lënduar askënd dhe sapo këta të fundit i janë sulur grupit të shqiptarëve, 28 vjeçari shqiptar ka shtënë sërish duke vrarë Bahman Rasulin. Pas hetimit rreth 1 mujor të ngjarjes, policia greke ka arritur të identifikojë të 7 shqiptarët e përfshirë në ngjarje në role të ndryshme.
Konkretisht ata janë Bledi Alushi, 19 vjeç nga Fieri, Akil Topi, 36 vjeç nga Elbasani, Spiro Alushi, 23 vjeç, Thanas Alushi, 25 vjeç, Skerdi Dragoti, 24 vjeç dhe Anxhelo Cenkaj, 18 vjeç. Të gjithë të dyshuarit janë arrestuar përveç shtetasit Akil Topi i cili vazhdon të jetë person në kërkim.
Precedentët e të dyshuarve
7 shqiptarët e dyshuar si pjesëmarrës në përplasjen me afganët nuk janë emra të panjohur për policinë.
1. Dhimitri Çiço alias Nektarios Karakalios rezulton i arrestuar më parë se në bashkëpunim me anëtarët e grupit “LIONS” kanë vrarë në 21.02.2023 në Athinë, 40 vjecarin nga Delvina, Pëllumb Islami. Në 8 shkurt të këtij viti është arrestuar për tentativë vrasje ndaj bashkëshortes, pjesëmarrje në tentativë vrasje ndaj 6 personave në dy ngjarje të ndryshme dhe për goditjen me armë ndaj lokalit të një shqiptari. Gjithashtu ka precedentë për “armëmbajtje”, “vjedhje” e shumë vepra të tjera.
2. Bledi Alushi, është arrestuar në 8 shkurt bashke me Çiçon për pjesëmarrje në tentativë vrasje ndaj 6 personave në dy ngjarje të ndryshme dhe për goditjen me armë ndaj lokalit të një shqiptari. Gjithashtu ka precedentë për “organizatë kriminale, “armëmbajtje”, “grabitje”, “plagosje e rëndë”, “shpërthim eksplozivi në tentativë”, “zjarrvënie në tentativë” e shumë vepra të tjera.
3. Spiro Alushi ka precedentë për “grabitje”, “kanosje”, “plagosje e lehtë” e vepra të tjera.
4. Thanas Alushi ka precedentë për “plagosje të lehtë” e vepra të tjera.
5. Anxhelo Cenkaj ka precedentë për “grup kriminal për shpërndarje lëndësh narkotike” e vepra të tjera
6. Akil Topi ka precedentë për “grup kriminal për shpërndarje lëndësh narkotike”, “grabitje”, “rrëmbim të mituri” e vepra të tjera.
7. Skerdi Draguti ka precedent të lehtë.
Top Channel