Drejtori i IT eksportoi bazën e TIMS të Policisë së Shtetit/ Prokuroria e Tiranës kërkon arrest në shtëpi, drejtori i Policisë urdhëron pezullim nga detyra të Ervin Muçës

09/04/2024 20:40

Me kërkesë të Prokurorisë, gjykata e Tiranës ka firmosur arrestimin e drejtorit të IT-së në Policinë e Shtetit, Ervin Muça.

Ai akuzohet për kopjimin pa autorizim të të dhënave të sistemit TIMS, një ngjarje mbi të cilën pak ditë më parë u ngrit edhe një komision hetimor parlamentar. Po ashtu Muça është pezulluar edhe nga detyra.

Referuar hetimeve, Ervin Muça rezulton të ketë hyrë në orët e vona të natës të 2 gushtit 2023 në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit që ndodhet në Drejtorinë e Teknologjisë dhe Informacionit tek rruga ‘Mine Peza’. Ai ka përdorur pin-in personal të një punonjësi tjetër jo prezent, duke ngritur dyshime të arsyeshme për veprime jo korrekte dhe në kundërshtim me ligjin.

Nga hetimi ndërmjet të tjerash, rezultonte se Ervin Muça ishte këshilltar i jashtëm i Drejtores së Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, ndërkohë që mbante funksionin e Drejtorit të Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin në Policinë e shtetit. Ligji për policinë e shtetit, ndalon veprimtari të dyta përveç mësimdhënies. Por Ervin Muça nuk e ka deklaruar këtë veprimtari të dytë në dokumentet aplikuese për pozicionin e Drejtorit të Departamentit për Teknologjinë dhe Informacionin në policinë e shtetit.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka ekzekutuar urdhrin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit té Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, e cila ka vendosur masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, për shtetasin E.M., me detyrë Drejtor i Departamentit të Teknologjisë së Informacionit në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Hyrje e paautorizuar kompjuterike”.
Nga veprimet procedurale të kryera nën drejtimin e Prokurorisë, rezulton se ka dyshime të arsyeshme, se në bazën e të dhënave të Policisë së Shtetit është ndërhyrë në mënyrë të paautorizuar nga Drejtori i Departamentit të Teknologjisë Informacionit dhe shtetas të tjerë.”-njofton AMP.

Hetimet vijojnë për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

“Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka urdhëruar Drejtorinë e Standardeve Profesionale në DPPSH, të pezullojë menjëherë nga detyra drejtuesin e Departamentit të Teknologjisë dhe Informacionit, E. M. Më datë 09.04.2024, Drejtori i Përgjithshëm është njohur me vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm dhe urdhrin e ekzekutimit të Prokurorisë Tiranë, për masat e sigurisë “Arrest në shtëpi” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”, të caktuara për këtë shtetas“-njofton Policia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA