Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken tha të martën se Izraeli nuk i ka njoftuar Shtetet e Bashkuara për ndonjë datë specifike për fillimin e një ofensive të madhe në qytetin jugor të Gazës, Rafah, por shtoi se zyrtarët amerikanë dhe izraelitë janë në kontakt të vazhdueshëm për t’u siguruar që “çdo lloj operacioni i madh ushtarak nuk do të dëmtojë të civilët.”
Komentet e Sekretarit Blinken vijnë një ditë pasi kryeministri izraelit Netanyahu tha se ishte caktuar një datë për pushtimin e qytetit Rafah. Ky qytet është i mbushur me rreth 1.4 milionë palestinezë, shumica e të cilëve janë zhvendosur nga pjesë të tjera të Rripit të Gazës. Shtetet e Bashkuara, aleati më i afërt i Izraelit, kanë thënë se një operacion tokësor në Rafah do të ishte një gabim dhe kanë kërkuar që të shohin një plan të besueshëm për mbrojtjen e civilëve.
Ofensiva ushtarake e Izraelit ka shtyrë Gazën në një krizë humanitare, duke lënë më shumë se 1 milion njerëz në prag të urisë.Përpjekjet ndërkombëtare për të ndërmjetësuar një armëpushim midis Izraelit dhe grupit militant të Hamasit po zhvillohen në Kajro këtë javë. Zyrtarët egjiptianë thanë të martën se ndërmjetësit i kanë paraqitur një propozim të ri armëpushimi Hamasit dhe Izraelit, që do të përfshinte një pauzë gjashtë-javore të luftimeve dhe një shkëmbim të 40 pengjeve të mbajtura nga Hamasi për të paktën 700 palestinezë të burgosur nga Izraeli. Izraeli thotë se më shumë se 130 pengje mbeten në Gazë, rreth një e katërta e të cilëve besohet se kanë vdekur.
Mbi 33,200 palestinezë janë vrarë dhe 76,000 të tjerë kanë plagosur nga lufta në Rripin e Gazës, tha të martën Ministria e Shëndetësisë e Gazës, e cila kontrollohet nga Hamasi. Ministria e Shëndetësisë nuk bën dallime midis civilëve dhe luftëtarëve në raportin e saj, por thotë se gratë dhe fëmijët përbëjnë dy të tretat e të vdekurve.
Lufta filloi më 7 tetor kur militantët e udhëhequr nga Hamasi, që Shtetet e Bashkuara e kanë shpallur organizatë terroriste, hynë në jug të Izraelit, duke vrarë rreth 1200 njerëz, kryesisht civilë dhe duke marrë peng rreth 250 njerëz./VOA
Top Channel