Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha të dielën, më 7 prill, se Kievi do të humbasë luftën kundër Rusisë nëse Kongresi amerikan nuk miraton ndihmën ushtarake për t’i bërë ballë pushtimit të Moskës.
Prej muajsh, Republikanët kanë bllokuar në Kongres dhjetëra miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Kievin.
“Është e nevojshme t’i thuhet Kongresit në mënyrë specifike se nëse Kongresi nuk e ndihmon Ukrainën, Ukraina do ta humbasë luftën,” tha Zelensky gjatë një video-konference për mbledhjen e fondeve të organizuar nga Kievi.
Zelensky tha se do të jetë “e vështirë” për Ukrainën të mbijetojë pa ndihmën amerikane. Ai shtoi se “nëse Ukraina humbet luftën, shtetet e tjera do të sulmohen”.
Si pasojë e sulmeve ruse në jug të Zaporizhzhias tre persona u vranë. Një tjetër grua u vra në rajonin verilindor të Kharkivit ku ka pasur bombardime të shtuara muajt e fundit.
Rusia, ndërkohë, tha se kishte shkatërruar 15 dronë ukrainas mbi rajonet e saj kufitare Belgorod dhe Bryansk.
Top Channel