Ukraina do ta humbasë luftën kundër Rusisë, nëse Kongresi amerikan nuk e miraton paketën e ndihmës ushtarake në një kohë kur ushtrisë së Kievit i nevojitet asistencë urgjente ndërsa forca ruse po rrisin praninë në vijën e frontit: Mesazhi i fundit i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ishte mjaft i zymtë.
Ukraina vazhdon të kërkojë ndihmë urgjente prej Shteteve të Bashkuara, sidomos për paketën e propozuar në vlerë të 60 miliardë dollarëve, e cila është bllokuar që disa muaj nga republikanët në Kongres.
“Është e nevojshme që në mënyrë specifike t’i tregojmë Kongresit se nëse nuk e ndihmon Ukrainën, ne do ta humbasim luftën. Do të jetë e ‘vështirë’ për Ukrainën të mbijetojë pa ndihmë. Por mos harroni, se nëse Ukraina humb luftën, do të sulmohen dhe shtete të tjera”, tha Zelensky.
Nga republikanët konservatorë në Kongresin amerikan sakaq, nuk ka ende shenja lëshimi. Ata vazhdojnë të këmbëngulin se më parë se nevojiten reforma të thella të brendshme për emigracionin në Shtetet e Bashkuara. Ish-presidenti Donald Trump, i cili ka qenë vazhdimisht kritik edhe ndaj përfshirjes së SHBA-së në luftën në Ukrainë, insiston që asaj të mos i jepet ndihmë, por kredi.
Këtë e përsëriti edhe gjatë një tubimi elektoral në Ohio gjatë fushatës për kandidaturën e tij për president në zgjedhjet që do të mbahen në nëntor. “Kievit duhet t’i japim para hua, e jo t’i dërgojmë para. Pra, t’i huazojmë para dhe nëse ia del, të na i kthejë”, deklaron Trump. Beteja më e fundit mes forcave të Moskës e atyre të kievit po zhvillohet rreth vijës së frontit në qytetin Çasiv Jar.
Luftimet atje janë të vështira, thotë Zelesku, por forcat e Kievit janë duke rezistuar. Çasiv Jar është më pak se 30 kilometra larg Kramatorskut, një zonë e rëndësishme hekurudhore dhe logjistike për ushtrinë ukrainase.
Top Channel