Partia Socialiste kërkoi në komisionin hetimor për ndërhyrjet në sistemin TIMS që ndër funksionarët që duhet të thirren për të dëshmuar, duhet të ishte edhe ish-kryeministri Sali Berisha.
Propozimi u bë nga deputetja socialiste, Blerina Gjylameti, që mori edhe mbështetjen e kryetarit të komisionit hetimor, Ervin Salianji.
Lajmi u publikua dje edhe nga Top Channel. Por në mbledhjen e sotme, socialistët duket se kanë ndryshuar mendje lidhur me kërkesën për të thirrur edhe Berishën.
Toni Gogu, nënkryetar i komisionit dhe Blerina Gjylameti thanë se Berisha duhet të thirret vetëm nëse del e nevojshme nga hetimi, teksa i thanë Salianjit se ka manipuluar procesverbalet e Komisionit në mbledhjen e parë.
“Komisioni hetimor është ngritur për të hetuar çfarë ka ndodhur në 2 gusht 2023. Nuk është ngritur për të hetuar kryeministra e ministra. Keni nenin 15, ku planin hetimor e propozojnë ekspertët që duhet t’i votojmë së bashku dhe më pas kalojmë në thirrjen e dëshmitarëve që duhet të kenë lidhje me çështjen. Gjatë hetimit të thërritet edhe Berisha. Institucionin do hetojmë, jo individin. Si thirren dëshmitarët? Kush e mori vendimin që ke vendosur emrat atje?”, tha Gjylameti.
Kreu i komisionit publikoi pjesë nga procesverbali ku deputetja Gjylameti kishte kërkuar edhe përfshirjen e Berishës në listën e dëshmitarëve, duke akuzuar socialistët se po bëjnë zhurmuesin për të shtyrë pa fund punimet e komisionit.
“Ju thoni se ‘unë mendoj se duhet thirrur edhe zotin Sali Berisha ish-kryeministër e Lulzim Bashën si ish-ministër i Brendshëm dhe funksionarët e Policisë së Shteti’. Nuk i shpëtojmë këtij hetimi çfarë do që të bëni. Nëse ju doni ta nxirrni zotin Berisha, nuk është as ëndërr as qëllimi im”.
Top Channel