Kryesia e PD rezolutë me propozime për Reformën Zgjedhore: Sistem që garanton lista të hapura dhe votën e disaporës

08/04/2024 11:19
Selia e Partisë Demokratike

Kryesia e Partisë Demokratike zyrtare, ditën e djeshme (7 prill), ka miratuar rezolutën për Reformën Zgjedhore ku nënvizohet se duhet një sistem zgjedhor që do të bëjë të mundur garën e hapur dhe garantimin e votës së diaporës.

Në rezolutë i qëndrohet të njëjtave propozime që PD ka bërë më herët për Reformën Zgjedhore, që janë listat e hapura apo Shqipëria si një zonë zgjedhore dhe votimi elektronik.

Rezoluta e plotë e publikuar nga Partia Demokratike:

Kryesia e Partisë Demokratike të Shqipërisë, e mbledhur sot me datë 7 prill 2024, në përmbushje të përgjegjësive të veta politike dhe statutore, nën dritën e zhvillimeve më të fundit politike dhe institucionale, konstaton se:
– Reforma në drejtësi është duke dhënë rezultatet e para konkrete inkurajuese në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë;
– SPAK dhe GJKKO gëzojnë sot mbështetjen më të lartë dhe besimin më të madh publik;
– Për këto shkaqe Partia Socialiste dhe disa deputetë të zgjedhur me vota opozitare, janë bashkuar në akte parlamentare, të realizuara në mungesë të plotë të transparencës , si një përpjekje për të dekurajuar këto arritje, si dhe krijimin e një atmosfere politike që trysnon organet e reja të drejtësisë;
– Bashkimi i votave, si një front i konsoliduar, për të amnistuar veprat penale të korrupsionit dhe sinkronizimi i qëndrimeve kundër SPAK dhe organeve të reja të drejtësisë, janë akte të qarta në këtë drejtim;
Si dhe,
– Sabotimi i Komisionit të Reformës Zgjedhore, duke rrëzuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese;
– Tentativa për mbajtjen në fuqi të sistemit të listave të mbyllura dhe përjashtimi nga e drejta e votës të shtetasve shqiptarë në diasporë;
Janë akte që minojnë ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale.
Partia Demokratike e Shqipërisë i konsideron këto zhvillime si një kërcënim për demokracinë dhe rendin ligjor.
Partia Demokratike shpreh me forcë angazhimin e saj të palëkundur për:
– Forcimin e institucioneve demokratike;
– Vendosjen e barazisë përpara ligjit si parim themelor kushtetues;
– Ndarjen e pushteteve, si garancia kryesore e një qeverisjeje të mirë dhe transparente;
– Mbështetjen e pakushtëzuar dhe pa rezerva për sistemin e drejtësisë, në përpjekjet kurajoze për rivendosjen e ligjshmërisë dhe dhënien fund të pandëshkueshmërisë;
– Një Sistem Zgjedhor që siguron garën e hapur, barazinë e votës dhe votën e diasporës, duke i qëndruar me vendosmëri propozimeve tona për:
o Lista të hapura;
o Shqipëria një zonë zgjedhore;
o Mundësimi i votimit të diasporës;
o Votimi dhe numërimi elektronik.
Partia Demokratike siguron opinionin publik se do të ndërmarrë çdo hap në mbrojtje të këtyre parimeve demokratike.
Partia Demokratike i rikonfirmon partnerëve ndërkombëtarë angazhimin e saj politik për të çuar përpara përpjekjet e përbashkëta për ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA