Një 60-vjeçar, me precedent të mëparshëm penal në këtë fushë, është kapur dhe vënë në pranga, pasi po kontrabandonte nga Maqedonia e Veriut, bagëti të imëta, me qëllim shitjen e tyre në Shqipëri,
D. Xh., 60 vjeç, banues në fshatin Belorta, Korçë, u kap në rrugën “Goricë-Zvezdë”, në afërsi të fshatit Zvezdë, Maliq, duke transportuar me kamionçinë, 28 krerë bagëti të imëta (dhi), të pamatrikulluara, pa dokumentacionin përkatës.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit të paligjshëm të kontrabandës me mallra, në zbatim të masave të përcaktuara në planin operacional mbarëkombëtar “Sundimi i ligjit”, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore Korçë-Elbasan, finalizuan operacionin policor të koduar “Përsëritësi””, thuhet në njoftimin e policisë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan bagëtitë, së bashku me mjetin që shërbente për transportimin e tyre, si dhe një shumë parash. Vijon puna për vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari të kundërligjshme.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
Top Channel