Dhjetëra mijëra qytetarë protestojnë kundër Netanyahut, përplasen me policinë dhe ndezin zjarre

08/04/2024 08:22

Dhjetëra mijëra njerëz protestuan në disa qytete izraelite kundër qeverisë së kryeministrit Benjamin Netanyahu.

Vetëm në Tel Aviv, sipas organizatorëve, 100.000 njerëz dolën në rrugë. Ata kërkuan dorëheqjen e menjëhershme të Netanyahut dhe zgjedhje të reja. Më vonë, demonstruesit iu bashkuan protestuesve të tjerë duke kërkuar përpjekje më serioze për lirimin e pengjeve të marra nga organizata terroriste Hamas.

Kanë kaluar saktësisht gjashtë muaj që kur terroristët e Hamasit dhe grupeve të tjera ekstremiste sulmuan Izraelin jugor, duke vrarë rreth 1200 njerëz dhe duke marrë peng 250 njerëz në Rripin e Gazës. Sipas informacioneve, 129 persona janë ende në duart e Hamasit.

Demonstruesit ndezën disa zjarre në rrugë, të cilat u shuan me shpejtësi nga policia. Mediat raportojnë se ka pasur një konflikt mes policëve dhe protestuesve. Në një vend tjetër, një person dyshohet se ka goditur qëllimisht me veturë tre pjesëmarrës në demonstrata, të cilët kanë pësuar lëndime. Policia arrestoi drejtuesin e mjetit.

Demonstrata pati edhe në Jerusalem, Haifa, Beer Sheva, Herzliya dhe në Cezare përpara vilës private të kryeministrit Netanyahu. Ka pasur një përplasje mes policisë dhe protestuesve të cilët po tentonin t’i afroheshin shtëpisë së tij.

Netanyahu, i cili është akuzuar për korrupsion, ishte nën presion të madh politik për reformën e diskutueshme gjyqësore edhe para fillimit të luftës. Një tjetër protestë është planifikuar në Jerusalem për lirimin e pengjeve të Hamasit./ DW

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA