Avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, në një deklaratë për mediat pasi GJKKO rrëzoi kërkesën për heqjen e masës së arrestit shtëpiak për ish-kryeministrin, u shpreh “se e gjitha bëhet me qëllim djegien e mandatit të deputetit”.
Sipas tij, vendimi për ta lënë Berishën në arrest shtëpie, është pa kriter dhe se në këto muaj hetime, s’ka dalë asnjë provë e re kundër tij.
“Gjatë gjithë këtyre muajve hetim, nuk ka asnjë provë të re. Megjithë këtë merr një vendim për zgjatjen e afatit të hetimit. Ata s’kanë më pse e ndjekin hetimin nga arresti, sepse s’ka asnjë kriter që duhet të jetë në arrest.
Qëllimi i kësaj sage arrestesh dhe rrëzim kërkesash është djegia e mandateve. Ne po vazhdojmë luftën pasi që një person në arrest shtëpie të jetë më i kufizuar se një që është në arrest me burg, kjo është e papranueshme”.
Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar rrëzoi sot kërkesën e bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi për heqjen e masës së arrestit shtëpiak.
Të dyja kërkesat e bëra, u shqyrtuan nga gjyqtarja e GJKKO, Irena Gjoka. Avokatët e Berishës dhe Malltezit, kërkuan masë më të lehtë sigurie për klientët e tyre me pretendimin se në këtë fazë hetimi nuk është e nevojshme kjo masë arresti ndaj tyre. Berisha dhe Malltezi akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohën kur Berisha ishte kryeministër, kanë kryer shkelje në procedurat e privatizimit të ish-kompleksit të klubit “Partizani”.
Top Channel