Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO), ka rrëzuar kërkesën e bërë nga ish-kryeministri Sali Berisha dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi për heqjen e masës së arrestit shtëpiak.
Të dyja kërkesat e bëra, u shqyrtuan sot (8 prill) në orën 13:00 nga gjyqtarja e GJKKO, Irena Gjoka. Avokatët e Berishës dhe Malltezit, kërkuan masë më të lehtë sigurie për klientët e tyre me pretendimin se në këtë fazë hetimi nuk është e nevojshme kjo masë arresti ndaj tyre.
Berisha dhe Malltezi akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në kohën kur Berisha ishte kryeministër, kanë kryer shkelje në procedurat e privatizimit të ish-kompleksit të klubit “Partizani”.
Kujtojmë se Berisha ndodhet në arrest shtëpie që prej 30 dhjetorit të vitit të kaluar pas vendimit të marrë nga gjyqtarja Irena Gjoka. Ndërsa dhëndri i tij, Malltezi u arrestua në 21 tetor dhe më pas u la në arrest shtëpie.
Top Channel