Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj gjatë takimit me mbështetësit në Berat tha opozita është e vetmja që mund të ndalë shkretimin e Shqipërisë.
“Bashkëbisedimi me ju është një kënaqësi dhe një shpresë më shumë në momentet ku gjithsecili duhet të marrë vendime të mëdha për veten, familjen, qytetin dhe vendin.
Nuk na lejohet të rrimë mënjanë, nuk duhet të shfaqemi më inaktiv përballë zhvillimeve politike në vend! Indiferenca nuk është aleat por armik i çdo aspirate.
Shqipëria nuk qeveriset por sundohet! Shqipëria prej 12 vitesh nuk administrohet por korruptohet dhe vidhet!
Prej 12 vitesh populli zvogëlohet ndërsa kasta e ushqyer me paranë publike rritet.
Monizmi dhe pushteti absolut nëse ne nuk reagojmë nuk është më iluzion por realitet.
Pushtetet janë përqendruar në mënyrë piramidale vetëm tek një njeri dhe çka mbetet tek shërbëtorët e tij ! Shikoni çfarë ndodh me paranë publike, skandalet me inceneratorët, vjedhje masive, sterilizimin, 200 milion euro ndërsa pensionet e rrogat mbeten mizerable.
Shikoni sagën e drejtorëve që e kanë kthyer shtetin në bahçen e tyre të veseve. Çfarë bëjnë ata, paratë e investimeve publike i marrin toptan, sade, dhe bëjnë hotele, makina luksi, llogari bankare!
Ata e duan pushtetin vetëm për kaq. Na thonë na votoni që t’ju vjedhim.
PD ka përgjegjësitë e veta për të cilat reflekton vazhdimisht.
Ajo ka kaluar një periudhe të vështirë por epike. Sot ajo është më e fortë, më e bashkuar më e vendosur për ndryshim.
Ajo ka dalë nga rrethimi dhe është në sulm në emër të shqiptarëve e për ta!
Në vitin 1990 PD u shfaq me projektin e lirisë e të themelimit, të pluralizmit, Shqipëria si gjithë Europa!
Në vitin 1992 me shndërrimin e lirisë në demokraci, në shtet të së drejtës, transformimin e ekonomisë socialiste në ekonomi tregu, hapat e pare në institucione europiane!
Në vitin 2005 u rikthye me duar të pastra, ristabilizoi shtetin, shkatërroi bandat, ndërtoi infrastukturën moderne, realizoi arritjet historike futi Shqipërinë në Nato, Shqipërine e lëvizjes së lirë pa viza, vizitën e Presidentit Bush, marrëveshjen e asocim stabilizimit me BE , rritjen e rrogave për shumë kategori!
Po i kujtoj këto për tu thënë demokratëve e qytetarëve se të jesh me Partinë Demokratike është krenari e përgjegjësi sepse ajo gjithmonë e ka një projekt në të mirë të Shqipërisë dhe qytetarëve të saj !
PD ka politikanë, ka profesionistë ka elita, ka njerëz të ndershëm të cilat mund ta kthejnë vendin në shinat e normalitetit, mund t’i largojë hajdutët nga qeveria dhe administrata, mund ti kthejnë shqiptarët të jetojnë me dinjitet në shtëpitë e tyre!
PD mund ta ndalë shkretimin e Shqipërisë dhe transformimin e demokracisë në atokraci.
Kambana e alarmit ka rënë ! Lideri i opozitës, themeluesi i pluralizmit pa akuzë, pa hetim, mbahet në arrest për llogari të pushtetit!
Për së dyti në këto 34 vjet fati po e sjell që liria e një shoqërie të rezonojë me emrin e Sali Berishës.
Shikojeni qeverinë e Edi Ramës shihni ministrat e tij me portofol a nuk ju fyejnë inteligjencën me paturpësinë e tyre, a nuk ju shqetësojnë me paaftësinë, a nuk ju zemërojnë me oreksin që kanë, a nuk jo lodhin me servilizmin e skajshëm?
Nuk vijnë në parlament, nuk flasin, fshihen, kanë frikë, mendojnë se do harrojmë!
Të gjithë ne, shoqëria jonë duhet të marrë përgjegjësi, nderin e të qenit opozitar në kohë të vështira duhet ta shndërrojmë në energji për fitore, në përpjekje që të jenë sa më të paktë ata që bien në fajin e votës për Edi Ramën dhe qeverinë e tij kumbarë skandalesh!”, tha Gjekmarkaj.
Top Channel