Një gjykatë në Moskë ka lëshuar urdhër për arrestimin e një burri nga Taxhikistani në lidhje me sulmin terrorist muajin e kaluar në një sallë koncertesh në Moskë, duke e çuar në 11 numrin e përgjithshëm të të arrestuarve për këtë rast.
Gjykata e qarkut të Basmanit urdhëroi që Sharifzoda Zoir të mbetet në paraburgim në pritje të gjykimit deri më 22 maj, duke e akuzuar atë për një vepër të paspecifikuar terroriste.
Ajo nuk dha hollësi të tjera në komunikatën e publikuar më 5 prill.
Zoir është personi i 11-të që është ndaluar, apo arrestuar në lidhje me dyshimet për përfshirje në sulmin e 22 marsit, në të cilin u vranë më shumë se 144 njerëz.
Katër shtetas të Taxhikistanit akuzohen se u futën në sallën e koncerteve pak para se të niste një koncert dhe filluan të shtien me armë drejt njerëzve pa dallim, dhe pastaj ia vunë flakën ndërtesës.
Nga 11 burrat e paraburgosur, 10 vijnë nga Taxhikistani, ndërsa njëri besohet se është nga Uzbekistani i lindur në Kirgistan, i cili ka shtetësi ruse.
Dhjetëra njerëz të tjerë vazhdojnë të jenë të zhdukur, duke nxitur thashetheme se numri i të vdekurve nga ky sulmi mund të jetë shumë më i lartë.
Ky ishte sulmi më i rëndë terrorist në Rusi në dy dekadat e fundit.
Përgjegjësinë për sulmin e mori një degë e grupit ekstremist, Shteti Islamik, ndërsa autoritetet e Taxhikistanit janë duke i marrë në pyetje një numër të madh njerëzish, kryesisht të afërmit e të dyshuarve, si pjesë e hetimit për sulmin.
Prapëseprapë, Kremlini ka ngulur këmbë, pa asnjë dëshmi, se Ukraina, me ndihmën e Shteteve të Bashkuara, është përgjegjëse për sulmin.
Kievi dhe Uashingtoni i kanë mohuar këto akuza.
Sulmi është cilësuar si dështim i madh i shërbimeve ruse të inteligjencës dhe të sigurisë.
Shtetet e Bashkuara thanë se i dhanë informata specifike Rusisë paraprakisht, duke e paralajmëruar për një sulm të mundshëm terrorist.
Raportohet se edhe Irani e kishte paralajmëruar atë para se të ndodhte sulmi./ REL
Top Channel