Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken përshëndeti vendimin e Izraelit, por e quajti të pamjaftueshëm.
“I mirëpresim hapat e shpallur nga Izraeli, të hapjes së kalimit kufitar në Erez, mundësinë që dërgesat e ndihmave të shkojnë drejtpërdrejt nga porti i Ashdodit, rritjen e kapacitetit për ndihmat që futen përmes Jordanisë. Këto janë zhvillime pozitive, por prova e vërtetë janë rezultatet, të cilat presim t’i shohim gjatë ditëve dhe javëve në vijim,” tha ai.
Sekretari Blinken tha se Shtetet e Bashkuara duan të shohin një sistem më të mirë të koordinimit, që do t’u mundësonte punonjësve të ndihmave t’i shpërndajnë ato me siguri të plotë në Gazë.
Ai njëkohësisht kërkoi një hetim të pavarur dhe të plotë për sulmin e Izraelit që vrau shtatë punonjës të ndihmave në Gazë.
“Duam të shohim marrjen e përgjegjësisë publikisht. Kjo shkon përtej kësaj ngjarjeje dhe ka të bëjë me numrin e tmerrshëm të fëmijëve, grave, burrave të pafajshëm që janë vrarë gjatë operacioneve ushtarake. Kemi biseduar për këtë çështje shpesh, për sfidën e veçantë të ballafaqimit me një armik që fshihet mes civilëve, apo nëpër tunele nën tokë, në xhami, shkolla e ndërtesa banimi. Por është detyrë e Izraelit, është përgjegjësi e tij të bëjë çmos për t’i mbrojtur civilët dhe kjo gjithashtu është një provë e rëndësishme. Gjatë ditëve dhe javëve në vazhdim duam të shohim që Izraeli t’i japë përparësi shtimit të ndihmës humanitare, mbërritjes së saj tek njerëzit në nevojë dhe të marrë masat e duhura për të mbrojtur civilët e kapur në mes të luftës, që u nxit nga Hamasi. Është e papranueshme që kaq shumë njerëz, të zënë në mes luftimeve, të vriten e të plagosen,” shtoi Sekretari Blinken.
Reagimi i Sekretarit Blinken, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Belgjikë për shënimin e përvjetorit të 75 të NATO-s, erdhi pas vendimit të Kryeministrit izraelit Benjamin Netanyahu për të hapur kalimin kryesor kufitar në Gazë, disa orë pas telefonatës me Presidentin Biden, i cili e kushtëzoi përkrahjen amerikane për luftën e Izraelit në Gazë me përpjekjet e Izraelit për të mbrojtur civilët dhe punonjësit e ndihmave.
Trysnia mbi shtetet aleate të Izraelit po shtohet përballë përkeqësimit të gjendjes humanitare në Gazë.
Organizata kryesore e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut miratoi të premten një rezolutë përmes të cilës u bëri thirrje shteteve të mos i shesin dhe të mos i dërgojnë armë Izraelit. Njëzetetetë nga 47 anëtarët e Këshillit për të Drejtat e Njeriut votuan pro rezolutës, ndërkohë që 6 shtete votuan kundër dhe 13 abstenuan.
“Votuan në përkrahje të kësaj rezolute. Finlanda nxit Izraelin të respektojë në tërësi ligjin humanitar ndërkombëtar dhe urdhrin ligjërisht të detyrueshëm të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë… sidomos tani që palestinezët në Gazë po përballen me kushte të përkeqësuara jetese, në veçanti për shkak të urisë,” tha nënkryetarja e Këshillit për të Drejtat e Njeriut, Heidi Schroderus-Fox.
Ndonëse rezoluta nuk është ligjërisht e detyrueshme, ajo u bën thirrje hetuesve të pavarur të mbështetur nga OKB-ja që të raportojnë për dërgesat e armëve, municionit dhe pajisjeve të tjera që Izraeli mund t’i përdorë kundër palestinezëve.
Shtetet perëndimore ishin të përçara. Shtetet e Bashkuara dhe Gjermania e kundërshtuan rezolutën, ndërkohë që disa shtete evropiane abstenuan dhe disa të tjera e votuan pro saj.
Izraeli e kritikon shpesh këtë agjenci të OKB-së me pretendimin se ka një agjendë të njëanshme kundër shtetit hebre.
Rezoluta u miratua në një kohë kur vëmendja po përqendrohet në armatimin që i dërgohet Izraelit, në veçanti nga Shtetet e Bashkuara, ndërkohë që fushata ushtarake izraelite në Gazë ka shkaktuar vdekjen e afro 33 mijë palestinezëve. Fushata ushtarake e Izraelit në Gazë u nxit si kundërpërgjigje ndaj sulmit të grupit militant Hamas, të cilin qeveria amerikane e ka shpallur organizatë terroriste, ndaj Izraelit më 7 tetor.
Uashingtoni po e humbet durimin me fushatën ushtarake të Izraelit në Gazë, siç u pa me paralajmërimin që bëri Presidenti amerikan Joe Biden, se Shtetet e Bashkuara do të rishikojnë përkrahjen për Izraelin nëse ky shtet nuk ndryshon taktikat dhe nuk lejon hyrjen e më shumë ndihmave humanitare në Gazë./VOA
Top Channel