Pas arrestimit të Jorgo Goros, GJKKO sekuestron tokë në Himarë: 5 080 m2 tokë bujqësore, iu mbivendos një pasurie tjetër në pronësi të shtetit

05/04/2024 12:02

Gjykata e Posaçme me kërkesë të SPAKU-t vuri sot nën sekuestro 5 mijë e 80 metra katrorë, pronë e tjetërsuar në fshatin Gjilek në Dhërmi të Himarës. Kjo sipërfaqe toke ishte zhvendosur si pronë afër territorit të një trualli shtet për t’ju bashkuar një tjetër prone të sekuestruar në tetor të vitit të shkuar prej 5512 metrash katrorë. Të dyja pronat i janë dhënë në pronësi qytetarit nga Himara Stavri Mëhilli të shpallur në kërkim edhe nga SPAK, ndërsa u bë arrestimi i kryebashkiakut në detyrë të Himarës, Jorgo Goro. I gjithë trualli prej 10 mijë e 592 metrash katrorë sipas SPAK që rezultonte në pronësi të Stavri Mëhillit iu shit për 12.6 milionë lekëve investitorit strategjik Artan Gaci, për të ndërtuar një kompleks turistik. SPAK po heton pasi ka dyshime se Jorgo Goro në bashkëpunim me zyrtarë të tjerë ka shpërdoruar detyrën në të dy rastet, me përfitues fundor të truallit biznesmenin Artan Gaçi.

Sipas njoftimit zyrtar të GJKKO, bëhet me dije se Prokuroria e Posaçme nga hetimi paraprak i kryer në kuadër të këtij procedimi penal ka rezultuar se, persona të cilët tashmë kanë pozitën procedurale të shtetasve nën hetim, kanë realizuar me veprime konkrete zhvendosjen faktike në terren të një sipërfaqe tokë bujqësore prej 5 080 m2, duke ja mbivendosur atë një pasurie tjetër në pronësi të shtetit.

Shtetasit nën hetim kanë tejkaluar të gjitha kompetencat që ligji i njeh, duke u shprehur për ekzistencën e një mbivendosje pasurish të paluajtshme në terren dhe më pas duke konfirmuar një plan vendosje, e cila nuk i korrespondon rrethanave faktike në terren.

Kjo planvendosje ka shërbyer jo vetëm për transaksionet e mëpasshme ndërmjet subjekteve të ndryshëm por edhe për zhvillimin e pronës, përfshirë këtu pajisjen me leje ndërtimi për një kompleks turistik në emër të një shoqërie tregtare, i cili do të ndërtohet mbi këtë sipërfaqe toke, por edhe mbi atë prej 5 512 m2 të sekuestruar më parë nga Prokuroria e Posaçme.

E gjithë sipërfaqja e tokës bujqësore prej 10 592 m2, e cila i është nënshtruar procedurave të sekuestros preventive në dy faza, është në fakt pronësi shtet dhe rezulton të jetë tjetërsuar e më pas zhvilluar nga një subjekt privat.

Njoftimi: Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ka regjistruar procedimin penal Nr. 189, të vitit 2023, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 248 e 25, të Kodit Penal, “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2, i Kodit Penal, dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me Vendimin Nr. 176, datë 28.03.2024, ka vendosur:

1.      Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, me nr. 176 regjistri themeltar, datë regjistrimi 19.03.2024, me palët dhe objektin e përcaktuar në pjesën hyrëse të vendimit;

 2.      Caktimin e masës së sigurimit pasuror “sekuestro preventive”, parashikuar nga neni 274 i Kodit të Procedurës Penale, mbi pasurinë e paluajtshme të identifikuar si “Pasuria numër 36/341, sipas AMTP nr. 9715 datë 07.02.1994, aktualisht e identifikuar në vërtetimet hipotekorë me nr. 112, datë 16.04.2020, dhe nr. 1116, datë 24.12.2013, e cila është konturuar nga Bashkia Himarë në zonën me nr. Pasurie 36/35 me sipërfaqe 5080 m2; 

 Kujtojmë se më herët SPAK njoftoi se:

Pas kryerjes së veprimeve hetimore, me kërkesën e Prokurorisë së Posaçme, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me vendimin Nr. 31, datë 23.03.2024, ka vendosur:

1.     Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim Jorgo Goron, me detyrë Kryetar i Bashkisë Himarë, si i dyshuar për kryerjen e veprës penale  “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.  

2.     Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim J.B., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Mbrojtjes dhe Menaxhimit të Tokës, Bashkia Himarë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal, kryer 2 herë.  

3.     Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim B.A., me detyrë Drejtor i ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.  

4.    Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në shtëpi”, parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim V.GJ., me detyrë Jurist pranë ASHK-së Drejtoria Vendore Vlorë (në kohën e ngjarjes), si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 248 e 25 i Kodit Penal.

5.     Caktimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”, parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, për personin nën hetim S.M.,  si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 186/2 i Kodit Penal dhe “Falsifikimi i vulave, i stampave, ose i formularëve”, më shumë se një herë, parashikuar nga neni 190/2 i Kodit Penal.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA