Izraeli shkarkon dy oficerë, pas vrasjes së punëtorëve të bamirësisë në Gazë

05/04/2024 13:35

Ushtria e Izraelit ka thënë të premten se i ka shkarkuar dy oficerë të lartë dhe i ka qortuar tre të tjerë për rolin e tyre në sulmet me dronë në Rripin e Gazës, si pasojë e të cilave u vranë shtatë punëtorë gjatë shpërndarjes së ndihmave ushqimore.

Hetimi izraelit gjeti se forcat izraelite besuan gabimisht se po i sulmonin pjesëtarët e armatosur të Hamasit – grupit të shpallur terrorist nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – kur i sulmuan me dronë tre vetura të grupit bamirës, Kuzhina Qendrore Botërore.

Sipas hetimit, ata i shkelën procedurat standarde të ushtrisë.

Vrasja e punëtorëve të bamirësisë të hënën, gjë të cilën Izraeli e pranoi, vjen pas akuzave të vazhdueshme nga aleatët kryesorë, përfshirë SHBA-në, se Izraeli nuk po bën sa duhet për t’i mbrojtur civilët e Gazës gjatë luftimit të Hamasit.

Gjetjet e hetimit pritet t’i rrisin dyshimet ndaj aftësive të ushtrisë izraelite për vendimmarrje.

Palestinezët, grupet e bamirësisë dhe organizatat për të drejtat e njeriut, i kanë akuzuar forcat izraelite vazhdimisht se shtinë me armë në mënyrë të pakujdesshme ndaj civilëve gjatë konfliktit. Izraeli i mohon këto akuza.

“Është tragjedi”, tha zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari.

“Është një ngjarje serioze për të cilën jemi përgjegjës. Kjo nuk është dashur të ndodhte, dhe do të sigurohemi se nuk do të ndodhë më”, shtoi ai.

Është e paqartë nëse këto ndëshkime dhe kërkim falja do ta zbusin zemërimin ndërkombëtar për vrasjen e punëtorëve të Kuzhinës Qendrore Botërore, apo nëse do t’i bindin grupet ndërkombëtare të bamirësisë se ka siguri për rifillimin e punës së tyre në Gazë, ku një e treta e popullsisë është buzë urisë absolute.

Shtatë punëtorët e vrarë vinin nga vende si, Australia, Polonia, Britania e Madhe, si dhe një me shtetësi amerikano-kanadeze. /REL

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA