Futet në regjimin “41 biss” Fatmir Pjetri, pjesë e “Bandës së Babagjyshëve”! Kryente çdo grabitje pa lënë gjurmë dhe viktima

05/04/2024 20:51
Fatmir Pjetri

Fatmir Pjetri, pjesë e “Bandës së Babagjyshëve” është futur në regjimin “41 biss”.

Sipas gazetares së Top Channel, Dorjana Bezat, në vitin 2021 ai tentoi të arratisej nga burgu 313 së bashku me Arbër Çekajn.

Pjetri është nga Puka dhe rezulton i dënuar më parë në Greqi për vjedhje me dhunë dhe armë. Pas ardhjes në Shqipëri, në vitin 2013 u bë pjesë e “Bandës së Babagjyshëve”.

Ai ka marrë pjesë në grabitjet e bëra nga banda e “Babagjyshëve”,që u shtrinë në të gjithë vendin, në Tiranë, Kuçovë, Durrës, Berat, Lezhë, Fushë-Krujë, Laç, Shkodër.

Grabitja që bëri më shumë bujë ishte ajo në një qendër tregtare në Tiranë, ku u grabit një argjendari, ku pas kësaj ngjarje u arrestua në 24 nëntor të vitit 2017. Pjetri kryente çdo grabitje pa lënë gjurmë, pa shkaktuar viktima dhe në një kohë prej 3 minutash.

Pjetri është dënuar me 30 vite burg për vjedhje me dhunë e kryer në bashkëpunim, grup i strukturuar kriminal dhe kryerja e veprave penale nga organizata e kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal.

Vjedhjet që ka krye banda:

1. Më dt. 11.01.2013, rreth orës 6 pasdite, është kryer vjedhja e mbetur në tentative me armë, në bashkëpunim, i një argjendarie pranë stacionit të trenit, Durrës, pronë e shtetasit A.F. Në këtë vjedhje të mbetur në tentativë kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri, Agustin Sula dhe Saimir Kala.

2. Më datë 28.09.2013, rreth orës 19.10 është vjedhur me armë në bashkëpunim, dyqanin argjendari, në pronësi të shtetasit A.B. ndodhur në Lagjen “Llukan Prifti”, Kuçovë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Agustin Sula, Fatmir Pjetrin dhe Hajdar Sefa, ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme floriri.

3. Më datë 25.10.2013 rreth orës 13.20 është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga dy persona të maskuar dhe të armatosur i firmën agroushqimore “A..T..A..”, ndodhur ne Vorë, ku kanë marrë shumën prej 1000 dollarë arkëtares së kësaj firme. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Agustin Sula dhe Julian Qerushi.

4. Më datën 05.11.2013, rreth orës 14.30, është vjedhur me armë, në bashkëpunim, argjendaria në pronësi të shtetasit S. R. dhe gjatë vjedhjes është plagosur pronari i saj, ndodhur në qendër të qytetit Laç. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Hajdar Sefa, Agustin Sula dhe Fatmir Pjetri, ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme floriri.

5. Më datë 25.11.2013, rreth orës 13.45, është vjedhur nga tre persona të armatosur “Argjendari Gj….”, në vendin e quajtur tek tregu i qytetit Fushë-Krujë, në pronësi të shtetases P. B., ku janë vjedhur një sasi bizhuterish, si edhe një sasi rreth 500.000 (peseqind mije) lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Fatmir Pjetri dhe Agustin Sula.

6. Më datë 24.12.2013, rreth orës 17.30, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim Argjendaria “G….”, ndodhur në qendrën tregtare, në fshatin Lundër, Tiranë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Ilir Kupa, Agustin Sula, Fatmir Pjetri dhe Julian Qerushi, ku kanë marrë një sasi të konsiderueshme floriri. Autorët e kanë realizar këtë vjedhje, të veshur si babagjyshë të festës së Vitit të Ri.

7. Më 28 shkurt 2014, në orët e drekës, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga dy persona të maskuar me uniforma policie dhe të armatosur, i pikës së shitjeve të makinave Mercedes Benz, ndodhur ne autostradën Tiranë Durrës, pranë mbikalimit të Kasharit, ku kanë marrë shumën prej 100 000 lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Agustin Sula dhe Edmond Selala.

8. Më datën 14.04.2014, rreth orës 10;36, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga katër persona të maskuar me uniforma policie dhe të armatosur, i kompleksit të shërbimeve A.M.L, ndodhur ne Rrugën “Konferenca e Pezës”, Tiranë ku kanë marrë shumën prej 1 000 000 lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri, Dritan Kola, Agustin Sula dhe Mark Shpendi.

9. Më dt. 22.04.2014, rreth orës 09:30, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga dy persona të maskuar dhe të armatosur që kanë lëvizur me motor, i argjendarisë “AÇ”, ndodhur në bulevardin “Bajram Curri”, përballë Gjykatës së rethit Gjyqësor Tiranë, në pronësi të shtetasit A. Ç., ku kanë marrë shumën prej rreth 600 000 lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri dhe Agustin Sula.

10. Më dt. 03.06.2014, në orët e drekës, është kryer vjedhja me armë në bashkëpunim nga dy persona të maskuar dhe të armatosur, i pikës së skrapit në rrugën dytësore Vorë-Marikaj, në pronësi të shtetasit R. Z., ku kanë marrë shumën prej 150 000 lekë. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Fatmir Pjetri dhe Agustin Sula.

11. Në datë 26.11.2014, rreth orës 17:30, është kryer vjedhja e banesës së shtetasit K. G., ndodhur në fshatin Kallmet, Lezhë, ku kanë marrë shumat prej 1 000 000 lekë dhe 5000 USD. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit nën hetim Agustin Sula, Angjelin Ndreka dhe Lin Kala. Gjatë vjedhjes, i dëmtuari ka qënë në banesën e tij së bashku me nënën dhe bashkëshorten.

Krahas vjedhjeve të mësipërme, të kryera në Shqipëri, grupi ka realizuar edhe dy vjedhje në Maqedoni:

12. Në datë 30.04.2014 është vjedhur argjendaria në pronësi të shtetasit R.H, ndodhur në Strugë, ku është marrë një sasi prej 5.5 kg flori. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Agustin Sula, Fatmir Pjetri, Miljan Elezi ose i quajtur Artur Tafani, Mark Shpendi dhe Dritan Kola. Këtë vjedhje, autorët e kanë realizuar të veshur si femra. Gjatë vjedhjes ka pasur përplasje me armë me personat e argjendarisë dhe policisë maqedonase.

13. Në datë 29.07.2014 është vjedhur një argjendari, ndodhur në Dibër të Madhe, ku gjatë vjedhjes, autorët kanë shkëmbyer zjarr dhe është vrarë njëri nga bashkëpunëtorët në kryerjen e kësaj vjedhjeje, shtetasi Miljan Elezi (alias Artur Tafani). Në këtë vjedhje është marrë një sasi prej 12 kg flori. Në këtë vjedhje kanë marrë pjesë shtetasit Agustin Sula, Fatmir Pjetri, Miljan Elezi (alias Artur Tafani), Saimir Kala dhe Dritan Kola.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA