Deborah Keçi, e akuzuar për favorizimin e kompanisë së dy ish-drejtorëve të bashkisë, ai i Ujësjellësit, Redi Molla dhe i IKMT-së Mariglen Qato, u paraqit këtë mesditë në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion.
Për të, Gjykata e Posaçme caktoi pak ditë më parë masën detyrim paraqitje, së bashku me katër zyrtarë të tjerë për shkelje të barazisë në tendera. Ndërsa në arrest me burg u lanë tre ish-drejtorë të bashkisë Tiranë.
Hetimi zbuloi se ish-drejtorët, ai i Ujësjellësit, Redi Molla dhe i IKMT-së Mariglen Qato, të cilët do të hetohen duke qëndruar në burg, në harkun kohor të viteve 2016-2020 kishin favorizuar në së paku nëntë procedura tenderimi kompaninë “5D Construction”, e cila rezulton dhe me dy emra të tjerë.
Sipas SPAK, kjo kompani është e regjistruar në emra të tjerë, lidhje miqësore dhe shoqërore e të dyshuarve por që në të vërtetë pronarë të saj janë Qato dhe Molla.
Top Channel