Joe Biden dhe Donald Trump fituan në votimet paraprake që u mbajtën këtë javë në shtetin e Viskonsinit.
Ndërsa të dy e kanë të sigurt emërimin, kandidatët e kanë përqendruar betejën e tyre tek fitorja në zgjedhjet presidenciale atje, një nga prej pak shteteve të lëkundur, që mund të përcaktojë fituesin e zgjedhjeve të 2024. Korrespodenti i Zërit të Amerikës Stott Stearns njofton se ekipet e fushatës së dy kandidatëve po përpiqen që të fitojnë mbështetjen e votuesve afro-amerikanë në atë shtet.
Votuesit e Viskonsinit zgjodhën Donald Trumpin në 2016, por 4 vjet më vonë votuan për Joe Bidenin. Dhe në të dyja proceset, gara ishte e ngushtë. Kështu që, në këto zgjedhje, votuesit mund të anojnë nga secili prej kandidatëve, me një elektorat thuajse të ndarë në mënyrë të barabartë, sipas shumicës së anketimeve të opinionit publik.
Në një garë të ngushtë, të dyja palët po përpiqen të fitojnë terren me votues të rinj.
Për republikanët, kjo nënkupton përpjekje për të tkurrur epërsinë historike të demokratëve tek votuesit afro-amerikanë.
Orlando Owens është kryetari i parë afro-amerikan i Partisë Republikane në qarkun Miluaki.
“Kush po e mbështet edukimin e fëmijëve tuaj tani? Kush po i mbështet sipërmarrjet që drejtohen nga afro-amerikanë tani? Kush po e mbështet idenë për sigurinë në kufi? Kush po e mbështet idenë për pasur të drejtën për të mbajtur armë për të mbrojtur veten?”, pyet ai.
4 vjet më pare, Joe Biden i fitoi zgjedhjet në Viskonsin me një diferencë prej më pak se 21 mijë votash, por arriti të mbante fitoren në Milauaki me 145 mijë vota më shumë. Analistët nga universiteti “Marquette” thonë se 53 për qind e votave që i dhanë fitoren zotit Biden, ishin vota të hedhura nga zgjedhësit afro-amerikanë.
“Miluaki nuk ka pse të kthehet në republikan; ne na duhet vetëm një rritje e vogël, prandaj është kaq e rëndësishme. Nëse mund të ketë një rritje të vogël këtu në qytet, një rritje të vogël në qark, ne fitojmë shtetin. Fitojmë shtetin, fitojmë zgjedhjet në vend”, thotë zoti Owens.
Zoti Trump u tha mbështetësve se çështjet penale që janë ngritur ndaj tij e kanë ndihmuar atë për të rritur mbështetjen e votuesve afro-amerikanë.
“Shumë njerëz më kanë thënë se kjo është arsyeja se përse afro-amerikanët janë njësoj si unë, sepse janë dëmtuar dhe diskriminuar kaq keq dhe faktikisht më shohim si një person që po diskriminohem. Kjo është diçka vërtet e bukur”, tha zoti Trump.
Zoti Biden nuk mund t’ia lejojë vetes të humbasë votat e afro-amerikanëve në Viskonsin dhe ekipi i fushatës së tij elektorale është i ndërgjegjshlm për këtë, thotë profesoresha e shkencave politike Cathy Cohen.
“Shumica e atyre që ndjekin fushatat zgjedhore do të thoshin se pa Miluakin, Bideni do të humbiste zgjedhjet në Viskonsin. Besoj se ekipi i fushatës së Bidenit e kupton këtë. Mendoj se do të shohim shpenzime të mëdha në reklama, por edhe angazhim në thirrjet për pjesëmarrje në votime, sikurse edhe takime në terren”.
Zoti Biden ishte në Viskonsin muajin e kaluar ku njoftoi fonde të reja për të bërë të mundur korrigjimin e atyre që ai i cilësoi si “gabimet historike”.
“Për breza të tërë, afro-amerikanët, ata me ngjyrë dhe indigjenë, komunitetet indigjene në Havai, nuk u përfshinë plotësisht në demokracinë tonë, në ekonominë tonë”, tha Joe Biden, President i Shteteve të Bashkuara
Për qytetin Miluaki, sipas Bidenit, kjo nënkupton trotuare dhe korsi biçikletash të reja, si edhe linja të reja autobusi dhe infrastrukturë moderne.
“Këto janë përmirësime që ndryshojnë jetën. Dhe do ua bëjnë më të lehtë komuniteteve afro-amerikane në veri dhe komuniteteve latine në jug që të kenë qasje në punë, shkolla si edhe mundësi argëtimi në qytet”.
Berberi nga Viskonsini, Antonio Perkins thotë se ende nuk e ka ndarë mendjen.
“Nuk e kam vendosur ende. Eshte për të qeshur sepse në zgjedhjet e fundit votova Bidenin që të largohej Trumpi ndërsa tani po anoj më shumë nga Trumpi sepse gjërat që mendonin se do shkonin më mirë në fakt po shkojnë me keq. Prandaj, në këtë pikë ende nuk e di se cilën anë do mbaj”.
Pikërisht kjo pavendosmëri tek votuesit tradicionalisht demokratë e shndërron garën, tashmë të ngushtë të Viskonsinit, në një pikë qëndrore për fushatat e të dy kandidatëve deri në ditën e zgjedhjeve./ VOA
Top Channel