Arrestohet një punonjës policie në Portin e Durrësit, shmangu kontrollin e një automjeti që po transportonte armë

05/04/2024 18:23

Një efektiv i policisë kufitare në Portin e Durrësit, është arrestuar për shpërdorim detyrë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.

Sipas AMP-së efektivi 37-vjeçar Besard Xhaferri, ka lejuar trafikun e armëve drejt Italisë, pasi nuk kontrolloi një ‘Bizarke’ në të cilin u gjetën 2 pistoleta.

“Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Durrës-Kavajë) ka ekzekutuar Urdhërin e Prokurorisë për zbatimin e vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila ka vendosur masën shtrënguese “Arrest në burg” për punonjësin e policisë Inspektor B. XH., 37 vjeç, me detyrë Kontrollor në Stacionin e Policisë P.K.K. Port Durrës, i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Nga hetimet e kryera nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, u dokumentua me prova se ky punonjës policie ka shmangur në mënyrë të qëllimshme kontrollin e mjetit tip Bizarke me drejtues shtetasin E. U., 45 vjeç, i cili ka udhëtuar me linjën Durres-Bari dhe sapo ka zbritur në Bari, gjatë kontrollit i janë gjetur 2 armë zjarri të tipit pistoletë.

Hetimet vazhdojnë për përfshirje të punonjësve të tjerë të policisë në këtë veprimtari kriminale.

AMP mbetet e përkushtuar në misionin e saj për garantimin e zbatimit të ligjit dhe fton qytetarët të denoncojnë çdo rast të shkeljes së ligjit, duke telefonuar në numrin e gjelbër 0800 90 90.”

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA