E konsideruar prej kohësh si Kopsht i Edenit për zogjtë shtegtarë, Laguna e Kune Vainit përgjatë bregdetit verior shqiptar është braktisur gjithnjë e më shumë nga një sërë speciesh për shkak të rritjes së temperaturave në vend.
Përmes një reportazhi me pamje nga kjo lagunë në Lezhë, AFP shkruan se miliona zogj kalojnë nëpër lagunat dhe grykëderdhjet shqiptare gjatë fluturimeve drejt veriut çdo vit, të cilat bëhen pika ndalimi për speciet migratore që udhëtojnë nga Evropa Veriore drejt Afrikës.
Me mbi 3.000 hektarë, të shtrira përgjatë detit Adriatik, Kune Vaini është shtëpia e 196 llojeve të shpendëve shtegtarë.
Flamingot këmbëgjatë me pendë rozë të ndezur, pulëbardhat, çafkat, rosat janë disa nga shpendët që frekuentojnë lagunën, por sipas ekspertëve, numri i tyre është në rënie vit pas viti. AFP citon një sondazh, sipas të cilit 40 për qind e popullsisë së shpendëve migratorë mungonin në janar.
Gjuetia pa leje, helmimi, përplasja me linjat e energjisë elektrike dhe humbja e habitatit vret me mijëra zogj shtegtarë çdo vit. Por, temperaturat e larta në të gjithë globin mund të rezultojnë edhe më shkatërruese.
“Ka shumë arsye, por mbi të gjitha është ngrohja globale ajo që ka ndikuar në migrimin dhe sezonet e riprodhimit”, u shpreh Kreshnik Toni, i cili mbikëqyr rezervatet e mbrojtura natyrore në Lezhë.
Peshkatarët vendas fajësojnë ngrohjen e ujërave për reduktimin e peshqve në zonë, duke i privuar zogjtë nga furnizimet jetike të ushqimit.
Dikur e bollshme, popullsia e ngjalave, preja e preferuar për shumë lloje shpendësh, ka rënë me 80 për qind në këtë zonë, sipas Cel Arifi, i cili mbikëqyr operacionet e peshkimit në lagunë. Edhe speciet si gaforrja blu kërcënojnë biodiversitetin e ligatinave në Shqipëri.
Ndotja së bashku me degradimin dhe shkatërrimin e habitatit të shpendëve nga njerëzit përbën gjithashtu një rrezik të konsiderueshëm.
Top Channel