Lulzim Basha, kryetari i PD zyrtare, mbajti sot një konferencë për shtyp. Gjatë fjalës së tij, Basha u shpreh se janë bërë pazare mes palëve për Reformën Zgjedhore, teksa shtoi se po krijohen struktura paralele me SPAK.
“Struktura e parë paralele që është paralajmëruar që në janar është një komision monitorimi për SPAK-un. Ka ngritur sërish kokë kjo ide mbrëmjen apo ditën e djeshme dhe vazhdon të qarkullojë me kokëfortësi si një përpjekje absurd anti-kushteuese, për të vendosur nën kontroll politikë të vetmen instancë e cila duket se është pjesërisht jashtë kontrollit të qeverisë. E kanë barë në një mënyrë tinëzare, e kanë hedhur njëherë poshtë rogozit, e pastaj janë përpjekur ta zhbëjnë, është tërhequr lajmi nga disa portale, ka mbetur në disa të tjera. Dua të përsëris edhe një herë në mënyrë të qartë dhe të prerë që Partia Demokratike qëndron fuqimisht kundër çdo përpjekje të kësaj mazhorance, me çfarëdo lloj aleatësh të fshehur apo jo, në Pazar apo jo për të filluar presionet e hapura institucionale kundër SPAK-ut”, tha Basha.
Më tej ai shtoi: Strukturë paralalele ndërkohë në Parlament për të zëvendësuar Komisionin Bipartizan të Reformës Zgjedhore. Një strukturë memece, sekrete, e paaksesueshme nga media. Ndërkohë që ka hyrë prilli dhe efektivisht kemi më pak se dy muaj kohë nga nisja e fushatës për zgjedhjet e ardhshme parlamentare nëse ato mbahen në afatet e përcaktuara të kodit zgjedhor, pas pazarit mes palëve për të prishur Komisionin e Reformës Zgjedhore, nuk ka asnjë transparencë në raport me arritjet e deritanishme. Përkundrazi ka një strukturë paralele që duket qartë se mision të vetëm ka çuarjen deri në fund të pazarit, që do të thotë mbajtjen në fuqi të marrëveshjes famëkeqe të Kushtetutës së 2008-ës dhe një komplot kundër votës së shqiptarëve, duke u mohuar shqiptarëve listat e hapura, duke u mohuar çdo debat, e lë më të riparim të shkeljes flagrante të Kushtetutës me pabarazinë e votës. Duke fundosur shpresat e shqiptarëve jashtë vendit për të marrë pjesë aktivisht në demokracinë shqiptare dhe duke skaduar me qëllim ditë pas dite afatet për votimin elektronik dhe numërimin elektronik.
Top Channel