U zhvillua sot ceremonia e hapjes së Qendrës së re të Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes. I pranishëm në këtë ceremoni Kryeministri Edi Rama i shoqëruar nga Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi, ministra të kabinetit, deputetë dhe drejtues të lartë të FA vizitoi mjediset e kësaj qendre, ku u njoh me funksionet e secilës prej godinave.
Gjatë ceremonisë së zhvilluar me këtë rast, Ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi e cilësoi këtë si një hapje të një faqeje të re në Forcat e Armatosura dhe Ministrinë e Mbrojtjes. “Është një faqe modernizimi , është një kalim në një fazë të re të zhvillimit të Shqipërisë që po i bashkohemi edhe ne. Është mishërim i vizionit të Kryeministrit Rama për futjen e zhvillimeve në Shqipëri në lëvizjen për inovacion”, u shpreh ministri Peleshi.
Sipas ministrit Pekeshi, “Një vend me zhvillim si Shqipëria ka nevojë për të kapërcyer dhe për të rritur ritmin me ndihmën e teknologjive të reja, me ndihmën e fuqisë intelektuale të kombit shqiptar. Ndaj ne sot jemi krenarë që i bashkohemi kësaj lëvizje dhe premtojmë që shumë shpejt do të japim produkett e para inovative që do të jenë edhe model frymëzues besoj për të rinjtë shqiptarë që na janë bashkuar në Forcat e Armatosura, por edhe për të rinjtë e tjetër që të kuptojnë që e ardhmja mund të ndërtohet këtu”.
Ministri i Mbrojtjes tha se kjo qendër është pjesë e rrjetit të qendrave të ekselencës së NATO-s, duke qenë se Shqipëria është vend anëtar. “Qendrat e ekselencës së NATO-s, si anëtarë të Aleancës janë qendrat tona të ekselencës. Jemi pjesë e një network-u, që ndërveprojmë, rrisim kapacitetet tona të trajnimit, jemi në konkakt me të rejat e fundit të Inteligjencës Artificiale, teknologjive të reja, të cilat kanë për qëllim të na ndihmojnë në rritjen e kapaciteteve tona të sigurisë dhe mbrojtjes, të ndërtojmë më shumë fuqi mbrojtëse me më pak burime”, u shpreh Ministri Peleshi.
Sipas ministrit Peleshi, në këtë qendër trajnohet modeli shqiptar i Inteligjencës Artificiale, duke përdorur dy teknologjitë; dy satelitët Albania 1 dhe Albania 2 dhe flotiljen e dronëve Bayraktar, imazhet e të cilëve analizohen sipas interesave të sektorëve.
Në fjalën e tij Kryeministri Edi Rama përgëzoi Ministrinë e Mbrojtjes për punën e bërë dhe tha se Qendra e re e Inovacionit, Sigurisë dhe Mbrojtjes hap një tjetër faqe në modernizimin e Ushtrisë shqiptare. Kryeministri Rama theksoi se “për t’iu përgjigjur sfidave të reja dhe për t’iu përgjigjur këtij niveli të ri të angazhimit që ne kemi në bazë të vizionit tonë për Forcat e Armatosura të Shqipërisë 2030, një strategji e re ushtarake dhe një plan i ri i zhvillimit afatgjatë të Forcave të Armatosura janë tanimë gati dhe do t’i nënshtrohen procesit të ligjvënies në Kuvend.
Ndërkohë që po përgatisim edhe platformën e re të zhvillimit të industrisë ushtarake”. “Ambicia jonë është që brenda vitit 2030 ne të kemi edhe eksporte ushtarake të markës “Made in Albania” dhe nga ana tjetër sigurisht që ushtria jonë të fillojë të pajiset edhe me mjete ushtarake të markës “Made in Albania’, u shpreh Kryeministri duke theksuar vijimin e mbështetjes për efektivët e FA.
Nëpërmjet Qendrës së re të Inovacionit të Sigurisë dhe Mbrojtjes, e cila i bashkëngjitet Njësisë Ushtarake të Sigurisë Kibernetike, synohet ndër të tjera të forcohen kapacitetet kombëtare në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes përmes zbatimit të projekteve inovative dhe integrimit të teknologjive të avancuara, si dhe të nxitet zhvillimi i një ekosistemi të inovacionit në siguri dhe mbrojtje.
Top Channel