Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka verifikuar veprimet e policisë lokale pas aksidentit tragjik në Këlcyrë, ku humbën jetën 7 emigrantë nga Pakistani dhe shoferi i makinës, nga Shkodra.
Burimet e Anila Hoxhës bënë me dije detaje nga ky raport, ku jepen të sakta oraret e veprimeve të policisë. Sipas raportit rreth orës 01:40 patrulla e Stacionit të policisë Këlcyrë ka konstatuar automjetin me të cilin po transportoheshin emigrantët e paligjshëm, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit, kundrejt pagesës.
Automjeti u konstatua se po lëvizte nga Përmeti në drejtim të Këlcyrës. Në momentin që drejtuesi i mjetit, Edison Bregaj konstatoi patrullën e policisë, u kthye me shpejtësi përsëri në drejtim të Përmetit.
Kështu patrulla e policisë ka marrë një automjet privat, të njërit nga punonjësit e policisë dhe janë nisur në ndjekje të makinës, ndërsa kanë bërë dhe raportimet tek Salla Operative Përmet. Ata kanë parë dritat e makinës në një distancë të largët dhe me pas nuk i kanë kostatatuar më, duke menduar se mund të kishin kaluar në ndonjë rruge dytësore.
Më pas rreth orës 04:20, në vendin e quajtur “Rripi i Kuqarit” kanë konstatuar gjurmë frenimi të forta mjeti dhe kanë zbritur për të kontrolluar përreth. Në këtë moment ata kanë zbuluar se 8 personat që ndodheshin në makinë kanë pësuar aksident dhe për pasojë ndërruan jetë.
Nga verifikimet e kryera mjeti i aksidentuar tip ‘benz’ me targë AA060OV, rezulton në pronësi të shtetasit Sokol Ismeti, banues në Pulaj, Velipojë, ndërsa Edison Afrim Bregaj, i datëlindjes 24.10.1999, ka qenë duke drejtuar automjetin, i cili ka humbur kontrollin e mjetit dhe ka dalë nga rruga, duke përfunduar në shtratin e lumit Vjosë, 100 metra poshtë rrugës.
Top Channel