Numërohet 15 vite nga dita kur flamuri i Shqipërisë u valëvit për herë të parë krah atyre të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Ish-ministri i Mbrojtjes i kohës, Fatmir Mediu bëri bashkë politikanë të majtë dhe të djathtë te cilët ndanë kujtimet e tyre. Shqipëria u bë anëtare më të drejta të plota e aleancës në 2009, por për ish-ministrin e Jashtëm Paskal Milo, bashkëpunimi daton me herët.
“Marrëdhëniet e Shqipërisë me NATO-n u bënë shumë të ngushta, sa në atë kohë për herë të parë qeveria shqiptare kërkoi një mbledhje urgjente të këshillit të NATO-s në Mars 98. Dhe kjo mbledhje u zhvillua vetëm me kërkesë të qeverisë shqiptare, në raport me kërcënimet që i bëheshin rajonit”, tha Paskal Milo.
“Shqipëria de fakto u bë anëtare e NATO-s kur erdhi Presidenti Bush në Tiranë, i cili jo vetëm nga pikëpamja protokollare që ne arritëm kulmin e marrëdhënieve me SHBA, por nga ana tjetër mendoj se dha dy mesazhe substanciale, Shqipëria në NATO dhe padyshim pavarësia e Kosovës”, u shpreh Fatmir Mediu.
Sekreti për rrugëtimin e suksesshëm të Shqipërisë për ish ministrin Besnik Mustafaj ishte bashkëpunimi mes të majtëve dhe të djathtëve.
“Procesi i punës, i reformimit dhe i pjesëmarrjes të të gjitha veprimtarive që kishin të bënin me NATO-n, në konceptin e qeverisë që unë bëja pjesë ishte se duhet të ishte një detyrë e përbashkët për të gjithë”, tha Besnik Mustafaj.
Ish ushtarakë të lartë të NATO, u ndalen tek sfidat dhe kërcënimet me të cilat përballet aleanca nga sulmet kibernetike të Iranit tek ato ushtarake te Rusisë.
Top Channel