Nga Lorenc Vangjeli
Në harkun e 72 orëve, Erion Veliaj, kryetar i bashkisë së Tiranës, pati dy fatkeqësi vetjake. U nda nga gurët në tëmth dhe nga disa prej drejtorëve të tij që i hanin mollë pas shpine. Edhe Veliaj, njëlloj si eprori i tij Edi Rama, ka gjithë të drejtën të përdorë nesër të njëjtën shprehje për vartësit e arrestuar nën dyshime për vjedhje me model banal dhe përmase të neveritshme.
Pa shkelur të drejtën e autorësisë së kryeministrit, edhe zëvendësja e tij Belinda Balluku, mund të shprehë të njëjtën keqardhje për serinë e llupësave të parave publike, të disa prej krahëve të djathtë të saj.
Edi Rama mund të ripërsërisë gjetjen e tij të hershme edhe për Ballukun, edhe për Veliajn duke shtuar gjithashtu se përgjegjësia për secilin është individuale dhe secili duhet të përgjigjet individualisht përpara SPAK-ut pa shpresuar se partia e tij mund t’i bëhet çadër, mburojë apo avokat i çdokujt.
Udhëheqësit në Shqipëri, si rregull dhe jo si përjashtim, janë të burgosur të vetëpërshkrimit që ata ndërtojnë për veten e tyre. Dhe më pas, robër të atij portreti publik, shumë nga lëvizjet e tyre shpjegohen pikërisht me këtë kufizim të lirisë për të vepruar ndryshe, edhe kur rrethanat ju diktojnë të kundërtën. Për Ramën thuhet se nuk ka empati për askënd. “I Gjati të lëshon!”, tallej vetë Rama me këtë autoportret të tij, që tashmë e detyron të mos lëvizë as gishtin kur sheh se në prag të rilindjes së tij të katërt, një aradhë laramane me nëpunës anonimë, dyshohet se kanë bërë një batërdi neveritëse në lekë. Berisha nga ana tjetër ka zgjedhur për veten ngjyrat e ashpra të njeriut që nuk dorëzohet ndaj askujt. Për të mos zhgënjyer këtë autoportret, ai bëri muaj më parë gafën e jetës që e mbylli në kafazin e shtëpisë së tij. Më keq akoma Ilir Meta, njeriu që kishte në dorë të shkruante ndryshe historinë e Shqipërisë në zgjedhjet e 2017, ra pre e një serie gabimesh të frymëzuara nga identikiti që i kishte krijuar vetes si njeri të fjalës së mbajtur. Meta lejoi të bjerë poshtë partinë e tij ndërsa vetë po ngjitej në krye të shtetit shqiptar si president. Balluku e Veliaj, dy kumbarët e njëri-tjetrit, janë gjithashtu viktimë e vetëburgosjes së tyre. E para e ka bindje se i përket trashëgimia e PS-së nga e shkuara dhe kjo i fal dhe arrogancën dhe revanshin e saj. I dyti, mëngëpërveshur si Obama, është vetëvizatuar si njeri i punës, modest, kokulur dhe “Lal” i miqve që e duan për interes dhe armiqve të tij. Të dy e shumëfishojnë këtë portret duke mikluar interesa të zërave publikë që herë ju thurrin lavde rrugëve që shemben dhe herë betohen se bari në Tiranë është më jeshil se kushërinjtë e tij në Tokio.
Nga sot e mbrapa është momenti për fjalën dhe gjykimin e Ramës, kryesisht për raportet në PS e qeverisje. Me kundërshtarin e tij Berisha të tkurrur nga pesha e Non Gratës dhe ish-vëllain armik Meta me plot dilema e ankthe për të ardhmen, ai sheh se pushteti i tij po hepohet së paku nga dy arsye thelbësore:
Nga dalja në dritë e një pushteti që ai nuk e kontrollon dot në qelizë siç është drejtësia dhe që tani po i ekuilibron në mënyrë cinike pushtetin,
Nga pesha e mëkateve, shpesh qesharake në dramacitetin e akteve që kanë kryer njerëz të lidhur me pushtetin e tij.
Për paradoks, nuk është qeveria e korruptuara e madhe në këtë vend. Të paktën gjysma e ministrave të tij nuk kanë as portofolin e ministrit në xhep dhe mund të komandojnë vetëm asistentët dhe printerin në zyrat e tyre apo dhe shoferin në makinë. Vetëm gjashtë a shtatë kolegë të tyre në majë dhe vartësit e tyre më të lartë poshtë tyre, kanë “ndoçka” në dorë që mund t’ua përlajë dora. Bashkë me ta janë dhe autoritetet lokale, kryetarët e bashkive të rëndësishme, që i japin zë dhe figurë bindjes se kur flitet gjithë ditën për ujqërit, çakejtë hedhin vallen e kërdisë ditën e natën.
Rreshti i gjatë i drejtorëve të Veliajt, ata që do të shtohen nga lista e Ballukut e të tjerë rrotull, është vetëm simptoma e dukshme e një sëmundjeje të sistemit. Ky tumor i shumëfishtë është krijuar kryesisht për shkak të mbivendosjes së politikës banale të ditës, sherrit për çdo qime të mjekrës së Çelove të ekraneve mbi problemet reale të vendit, zhvendosjes së vëmendjes vetëm tek lëngata e opozitës dhe krijimit të bindjes se ajo nuk është asnjëherë të shndërrohet në alternativë për pushtet dhe mbi të gjitha, për shkak të krijimit gradual të një kaste “teknicienësh” që menaxhojnë para, por që nuk kanë asnjë lidhje politike me partinë që i ka rekrutuar, asnjë lidhje me njohjen publike dhe shumë shpesh, asnjë meritë vetjake përveç sindromës së thikës në brez në gostinë e pushtetit. Si rrjedhojë, të rastësishëm aty lart ku janë ngritur, këta kryeministra të vegjël të Republikës së Drejtorëve, i kanë hyrë udhës së të paudhit me çartera në qiell duke e matur veten me kutin e zengjinit të ri. Të atij lloj zengjini vulgar që pi verë të shtrenjtë, por pa e njohur, që tymos puro jo se janë adhurues të duhanit, por sepse purot janë në modë, që e quajnë status vetjak edhe dashnoret që bashkëndajnë dhe që mbi të gjitha, e përdorin detin me kos që ju ka rënë në dorë, si krem për fundshpinën vetjake.
Ky soj sojsëzash që nuk kanë qenë kurrë sojlinj, që pavarësisht se ku punojnë, zgjedhin të jenë fqinjë me njëri-tjetrin në rezidenca luksoze në Tiranë, në jug të vendit apo jashtë, duhet të kuptojë se e kanë të zymtë horoskopin dhe do të jenë sërish komshinj me njëri-tjetrin në qeli. Në një vend si Shqipëria që nuk e harron kurrë hakmarrjen, Zoti i numëron dy herë lotët e të varfërve: njëherë kur qajnë për varfërinë si short dhe përherë kur ndjehen të grabitur e të detyruar të jenë spektatorë të vanitetit të sojsëzëve neveritës.
Por me gjithë këta merret drejtësia. Ndryshe nga ta, për Ramën vetë, Ballukun apo Veliajn nuk mjaftojnë vetëm dyshimet e një prokurori apo vendimi i një gjykatësi. Për ata, gjykojnë shqiptarët, të gjithë ata që kanë emrin në listën e votimit dhe që njëherë në 4 vjet shndërrohen në gjykatësit e tyre superiorë. Rama ende e ka vetë në dorë autoportretin e tij për ditën kur do të vendoset vetë përpara tre milion e kusur gjykatësve me votë. Vetëm apo bashkë me neverinë estetike që i shkaktojnë lajmet për mollë, dardha, fiq, mandarina, qershi të lagura apo luleshtrydhe që vartësit e tij hanë pas shpinës së tij, ky është vendimi i tij. Me gjasa ai e ndjen se soji i sojsëzëve, anonimë dhe arrogantë, janë megjithatë të aftë t’ja kthejnë rilindjen e katërt në funeral. Për Edi Ramën ata nuk janë si gurët e vegjël që kishte prodhuar tëmthi i Veliajt, por janë pesha e gurëve të ndyrë, drurëve të shtrembër e hunjve të paditur, që i kërcënojnë atij vetë pushtetin moral dhe politik mbi Shqipërinë.
Top Channel